‘Nuk kisha qëllim të arratisesha’, Fran Frrokaj shkon vetë në polici pas dënimit nga Apeli

AKTUALITET


Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj është dorëzuar në Policinë e Lezhës, pas disa orësh kërkime nga policia.

Ai u dënua me tre vite burg sot nga Gjykata e Apelit në Shkodër për tjetërsimin e 234 mijë metrave katrorë tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin, por pak momente para se t’i jepej dënimi ai ishte larguar nga salla e gjyqit.


Policia zhvilloi disa kontrolle në Shkodër, në Lezhë dhe në banesën e tij gjatë pasdites së sotme, por nuk e gjeti atë.

Pas dorëzimit në Polici, mësohet se Frrokaj ka deklaruar se nuk kishte si qëllim të arratisej, por nuk e dinte se ishte në kërkim dhe pasi pa lajmet në media shkoi dhe u dorëzua.

Paraditen e sotme, Gjykata e Apelit në Shkodër dënoi  me 3 vite burg ish-kryebashkiakun. Ky i fundit akuzohet për shpërdorim detyre dhe tjetërsim prone.

Fran Frrokaj dhe 15 ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Lezhës, akuzohen se kanë bërë tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.

Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte.

Fillimisht në këtë çështje së bashku me kryebashkiakun u arrestuan edhe 22 persona të tjerë, por në gjykatën e shkallës së parë Lezhë dosja u dërgua për 18 persona, nga të cilët vetëm një u shpall i pafajshëm.




Skip to toolbar