Më shumë se 8,000 fëmijë nën moshën 5 vjeç morën kujdes në Rripin e Gazës për kequshqyerjen dhe 28 prej tyre vdiqën, tha këtë të mërkurë Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Një përqindje e konsiderueshme e popullsisë së enklavës palestineze, duke u përballur me një fushatë të ashpër reprezaljesh pas sulmit të përgjakshëm të 7 tetorit ndaj Izraelit, tani përballet me një nivel katastrofik të mungesës së ushqimit dhe kushteve që i afrohen urisë, ka shpjeguar shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus konferencë për shtyp në Genevë.
“Pavarësisht raporteve për një rritje të dërgesave ushqimore, aktualisht nuk ka asnjë dëshmi se ata që kanë më shumë nevojë po marrin ushqim në sasi të mjaftueshme dhe me cilësi të mirë”, theksoi ai.
Përballë kësaj situate, OBSH dhe partnerët e saj janë përpjekur të forcojnë shërbimet ushqimore në Rripin e Gazës, shpjegoi Tedros.
“Më shumë se 8,000 fëmijë nën moshën pesë vjeç u diagnostikuan dhe morën kujdes për kequshqyerje, nga të cilët 1,600 fëmijë vuanin nga kequshqyerja e rëndë akute,” zbuloi ai. Kequshqyerja e rëndë akute shpesh shoqërohet me komplikime mjekësore dhe është një shkak kryesor i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë tek fëmijët.
Megjithatë, për shkak të pasigurisë dhe mungesës së aksesit, aktualisht mund të funksionojnë vetëm dy qendra stabilizimi për pacientët e kequshqyer rëndë, shpjegoi shefi i OBSH-së./abcnews.al