Operacioni ‘Restart’/ 58 kg kanabis në drejtim të Maqedonisë së Veriut, tre në pranga në Qafë Thanë 

AKTUALITET


Tre persona janë vënë në pranga dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim me finalizimin e fazës së trembëdhjetë të operacionit policor të koduar “Restart”, që ka nisur një vit më parë.

Bëhet e ditur se në kuadër të këtij operacioni në pranga u vunë Erisa Fero, 28 vjeçe, banuese në Tiranë, Likë Basha, 32 vjeç, banues në fshatin Mafsheq të Krujës dhe M. K., 17 vjeç.


Kurse në kërkim u shpallën një 30-vjeçar dhe 28-vjeçar, banues në fshatin Piskupat, Pogradec. Personat e përmendur më sipër u arrestuan pasi policia ndaloi një automjetin tip “Volkswagen” në Lin të Pogradecit pas informacioneve se do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike.

Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit të ndaluar në Qafë Thanë, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe sekuestruan 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Nga hetimet e kryera rezulton se 28-vjeçarja Fero dhe dy të arrestuarit e tjerë kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga Tirana në drejtim të Qafë Thanës.

Po nga veprimet e para hetimore rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy personat e shpallur në kërkim.




Skip to toolbar