Deputeti i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj ka reaguar lidhur me akuzat e opozitës për rastin e Universiteti Bujqësor.
Ai ka thënë në “News Line” se rektori i Bujqësorit, Fatbardh Sallaku nuk është i pandehur, por kryetari i opozitës, Sali Berisha duhet ta kthejë pasqyrën nga vetja, pasi vetë është i tillë.
Sipas deputetit, kjo çështje nuk ka lidhje vetëm me masat, por dhe me impaktin që jep, pasi bëhet fjalë për një institucion arsimor.
“Është një reformë tërësore institucionale, e cila ka vendosur linja të ndryshme institucionesh, e cila adreson shqetësimet e qytetarëve që janë në lidhje me të drejtat kushtetuese, duke përfshirë dhe cënimin e lirisë individuale.
Kryeministri ka qenë fare i qartë në diskutimin që ka zhvilluar dje, ku rektori është dëgjuar dhe sigurisht nuk ka qenë në asnjë moment pjesë e diskutimeve politike që janë zhvilluar në vijimësi, pas përcaktimit të fakteve që rektori bëri.
Dua të them që është një situatë shumë e vështirë, përderisa për 24 persona ka një masë ndalimi të tillë nga Prokuroria e Posaçme, pasi duket po sulmohet një organizatë mafioze, por po flasim për institucion arsimi. Kjo çështje nuk ka lidhje vetëm me masat, por dhe me impaktin që këto japin.
Akuza që vijon të bëhet në sallën e parlamentit nga opozita që ne paskemi thyer një tabu, është një problem i madh që opozita ka në koherencën e grupit parlamentar të vetë, sepse dalin dhe thonë që ne nuk do të ftojmë kurrë një person që është i pandehur.
Duhet të sqarojmë që rektori nuk është i pandehur. Së dyti, opozita drejtohet nga një person i pandehur. Kjo është bëni si them unë, por mos bëni si them unë. Zoti Berisha nuk mund të vijojë të bëjë diskutime sikur ka harruar ta kthejë pasqyrën nga vetja”, tha Xhafaj.