Opozita në udhëkryq/ Rikthimi i Berishës dhe një parti me dy vula, si nisi viti 2022 për PD

Më të fundit


Pamjet më 8 janar treguan se si nisi viti 2022 për Partinë Demokratike.

Lulzim Basha bashkë me një grup deputetësh dhe mbështetës të tij ishin brenda selisë që prej mëngjesit të 8 janarit. Gjithë oborri i mbushur me makina të parkuara, brenda pak minutash u mbush me militantë demokratë që iu përgjigjën thirrjes së Berishës për të rimarrë godinën e partisë në kontroll.


Për gati 2 orë, skenat e 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike ishin të paprecedentë në historinë e Shqipërisë, mbase edhe më gjerë në gjithë Europën.

Ndërhyrja e policisë për herë të parë me gaz lotsjellës brenda selisë së një partie politike shmangu ndonjë tragjedi të mundshme. Pas këtij momenti, përplasja dhe përçarja në Partinë Demokratike që kishte nisur në 9 shtator 2021, duket e pakthimtë.

Pak ditë më vonë dhe me erën e gazit lotsjellës që ndihej akoma në selinë e PD, Presidenti njoftoi datën e zgjedhjeve lokale të pjesshme në 6 bashki.

Për herë të parë, përballë kandidatëve të Partisë Socialiste në zgjedhjet e pjesshme për 6 bashki, kishte 2 kandidatë demokrat.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve kishte vetëm një rendësi. Kush ka më shumë votues demokrat. Me fitore në Shkodër dhe vendin e dytë në Durrës, Lushnjë, Dibër dhe Vorë, shifrat ishin shumë të qarta në favor të Berishës.

Triumfator nga këto zgjedhje, në mars Berisha do të korrte edhe dy fitore të rëndësishme brenda Partisë Demokratike.

Pas disa mbledhjeve ku u shtuan zërat edhe brenda mbështetësve të tij që i kërkonin një hap pas, më 22 mars Lulzim Basha u dorë-hoq nga drejtimi i Partisë Demokratike.

Po në mars, më datë 25 Gjykata e Shkallës së Parë me vendim të gjyqtarit Agron Zhukri do të njihte statutin që doli nga Kuvendi i Berishës më 11 dhjetor 2021. Nga ky vendim do të niste odisea e përballjeve gjyqësore për vulën dhe statutin zyrtar të Partisë Demokratike.

Me dorëheqjen e Bashës dhe vendimin e Gjykatës në dorë, Sali Berisha dhe mbështetësit e tij u rikthyen në selinë e partisë Demokratike. Këtë herë jo me levat dhe çekanët për të hapur dyert e blinduara, por me kutitë e bojës për të fshirë atë që 8 janari kishte lënë pas.

Pasi kishte larguar Bashën dhe kishte rimarrë kontrollin e selisë, Sali Berisha nisi punën për të marrë në kontroll të plotë partinë. Në Kuvendin e 30 prillit, që e kishte shtyrë, Berisha pa që t’i shtoheshin akoma dhe më shumë deputetët që ikin nga Basha afroheshin pranë tij.

Më 22 maj, edhe formalisht, Sali Berisha vulosi rikthimin e tij të dytë në krye të Partisë Demokratike.

Edhe pse kishte korrur disa suksese gjatë pranverës dhe tashmë të gjithë ishin të bindur se ai kishte shumicën e demokratëve pas vetes dhe se non grata nuk ishte më një pengesë, për Sali Berishën 2 çështje nuk morën dot zgjidhje gjatë 2022-it. Shumë deputetë, ende nuk e njohin atë si kryetar dhe statusi ligjor i partisë vijon të mbetet peng i vendimeve të gjykatave.

Pasi u rikthye në drejtimin e Partisë, Berisha bëri një përpjekje të parë për t’i bashkuar demokratët. Përpjekja dështoi dhe nga ai moment, në qendër të sulmeve të tij Berisha do të vendoste Enkelejd Alibeajn si kryetar i grupit parlamentar demokrat.

Si pjesë e këtyre përpjekjeve për ta unifikuar opozitën dhe të shuante çdo dyshim mbi lidershipin e tij, Sali Berisha thirri protestën e parë kombëtare më 7 korrik. Aty, ai pa që t’i bashkoheshin edhe disa deputetë e demokrat që deri në atë moment i kishte pasur kundër.

Në rinisjen e sesionit parlamentar në shtator Berisha e shtoi aktivitetin opozitar në Parlament, duke formalizuar edhe ndarjen mes deputetëve demokrat që tashmë drejtohen një pjesë nga Enkelejd Alibeaj dhe pjesë tjetër nga Luçiano Boçi.

Edhe në shtator Berisha vijoi ta zgjerojë mbështetjen në grupin parlamentar, duke afruar pas vetës deputetë që kishin qenë me Alibeajn dhe Bashën deri në atë moment.

Edhe pse situatën brenda në parti vijonte ta kishte të përçarë, Berisha nuk humbi kohë për të formalizuar koalicionin me Ilir Metën për të cilin kishin rënë dakord më herët.

Pakti Meta-Berisha u firmos vetëm 4 ditë pasi u zbulua data e zgjedhjeve lokale të 2023-it, më 14 maj.

Nga ky moment, si asnjëherë më parë, Partia Demokratike i nisi përgatitjet për zgjedhjet lokale rreth 6 muaj përpara datës së votimit. Por bashkë me primaret, Berisha nuk hoqi dorë as nga protestat. Më 12 nëntor në shesh, ai ishte bashkë me Ilir Metën.

Mes polemikave dhe kontestimeve dhe mungesës së garës në disa bashki, në fillim të dhjetorit Sali Berisha zbuloi kandidatët me të cilët do të përballej në zgjedhjet e 14 majit. Në këtë pikë edhe grupimi tjetër në Partinë Demokratike nuk qendroi heshtur, duke nisur prezantimin e kandidatëve në disa bashki. Dalja me dy kandidatët erdhi pasi më herët në fillim të nëntorit dështuan për herë të dytë përpjakjet për t’i bërë bashkë palët.

Ende pa u harruar protesta e 12 nëntorit dhe me strukturat e kandidatët të angazhuar procesin e brendshëm të primareve, Berisha njoftoi datën e protestës së radhës. Më 6 dhjetor, pikërisht në ditën kur në Tiranë do të mbërrinin krerët e Bashkimit Europian për samitin BE-Ballkani Perëndimor.

E shoqëruar me debate paraparkisht për vendin se ku duhej organizuar kjo protestë, 6 dhjetori do të mbetet gjatë në mendjen e demokratëve. Për herë të parë një person arriti që të prekte dhe të godiste me grusht Sali Berishën. Në mes të demokratëve, Berisha u pa me gjak në fytyrë, por protesta nuk i kaloi caqet paqësore.

Edhe në ditët e mëpasshme, duke e cilësuar sulmin si një inskenim të përgatitur nga maxhoranca Berisha i qendroi larg gjuhës dhe thirrjeve për dhunë. Për vetëm pak orë ngjarja i bashkoi demokratët, por vetëm kaq, pasi të nesërmen të gjithë ishin në llogoret e tyre. Një pjesë duke prezantuar kandidatët për zgjedhjet lokale dhe pjesa tjetër duke pritur që Gjykata të dalë sa më shpejt me vendim për firmën dhe vulën e Partisë Demokratike.

Nëse në 2021-in Partia Demokratike preu biletën për një mandat të tretë rresht në opozitë dhe nisi krisjen më të madhe në historinë e saj, 2022-i vulosi ndarjen e partisë. Një grup i madh, me Berishën në krye vazhdojnë përpara duke pretenduar se janë ata përfaqësuesit e shumicës opozitare dhe kështu shpresojnë se do të arrijnë të rivalizojnë socialistët. Grupi tjetër më i vogël dhe më pak i unifikuar pretendojnë të rivalizojnë maxhorancën, jo me forcën e shumicës, por me kartën morale.

Nga 2023-i, PD pret vendimin final të Gjykatës, për ta bërë edhe juridike ndarjen mes dy palëve që zgjedhjet e mëpasshme mund t’i shohë si dy parti të ndryshme.




Skip to toolbar