Zgjedhjet e 11 majit mbaruan, dhe ashtu si para, edhe pas, Berisha dhe Rama bashkohen në një pikë, drejtësia. Pas kryeministrit, edhe doktori, mendon se gjyqtarët nuk kanë të drejtë të kërkojnë rritje pagash për veten.
“Prokurorët e gjyqtarët në Shqipëri paguhen më shumë se çdo koleg i tyre në Ballkan. S’ka gjë më absurd, u ka rritur oreksin. Kurrë rroga më të larta në rajon, rrogat në proporcion. S’është vend për rroga 7 mijë euro ky, për magjistratë që flenë mbi dosje krimi.”
Por ka një dallim. Kryeministri ka hallin e hierarkisë brenda sistemit, kurse doktori të ryshfetërisë jashtë tij. Madje ai pranon, se në kohën kur ishte kryeministër, ryshfeti ishte problem i madh, vetëm se tani sipas tij gjyqtarët e prokurorët kanë rritur pjacën.
“Ka qenë një periudhë kur, nuk e mohoj. KE në një raport investigativ, e zezë mbi të bardhë shkruante se këta merrnin për një emërim 200-300 mijë euro në Tiranë. Po, dhe tu them të vërtetën, Unë kërkova të publikohej. Se erdhën më pyetën, z. Kryeministër ta publikojmë? Menjëherë. Por, por nuk e publikuan. Sot është 2-3fishuar. Shuma kolosale të karteleve. Mos u çudisni, për gjykime të caktuara shkojnë dhjetëra miliona euro. Visi i Pojës, pa dhimbje koke mund ti japë 20 mln euro Altin Troplinit.”
Por doktori e pranon, se ka dhe burra e gra të ndershme në sistemin e drejtësisë, djem e vajza të pastër. Në ditën e fundit të këtij qershori të nxehtë, Berisha nis gjyqin për ish-dosjen Partizani. Kryesuese e trupës do të jetë Elsa Ulliri, kushërira e parë e kandidates së Berishës, Andia Ullirit. Dhe mesa duket, doktori ndihet mirë mes ullinjve.
“Komenti im është ky, s’kemi marrë ende vendimin e gjyqtares për dërgimin në gjyq, çështje e avokatëve, do konsultohem me ta, çështje jashtë kësaj salle.”