Përfaqësuesit e shoqatave të gazetarëve kanë kërkuar të mërkurën në Komisionin Parlamentar të medias ku ka nisur diskutimi i dy projektligjeve të qeverisë, pjesë të paketës anti-shpifje, që të dy këto ligje të anulohen, pasi kufizojnë lirinë e medias në Shqipëri. Kërkesa është bërë në komision nga Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, i cili ka thënë se projektligji duhet të anulohet pasi krijon alibi për censurë. Ai më pas ka shtuar se besueshmëria ndaj AMA-s është e ulët, ndërsa gjobat e parashikuar do të shkatërronin ekonominë e mediave online.
“Krijon alibi për censurë. Nëse jeni të interesuar për një referencë, për ketë projektligj kur flisni për penalitete, janë masa të papërballueshme për gazetarët. Mediat e reja kanë posedues gazetarët dhe të ardhurat i kanë minore. Masa administrative, nuk mund të ekzekutohet vendimi administrativ para vendimit të gjykatës. Këto dy ligje duhet të anulohen. Edhe për arsyen se janë konceptuar si një amendim për ligjin e mediave audiovizive. Si ente rregullatorë, por kjo nuk është funksionale. Besueshmëria e gazetarëve ndaj AMA-s ka qenë kritike dhe akuzuar. Përderisa kemi histori të tillë”, tha Çipa.
Edhe përfaqësues të tjerë të mediave online kanë kërkuar që vendimet administrative të mos merren para se të shprehet gjykata. Ylli Rakipi ishte i ashpër në deklaratën e tij ndërsa ka shpërthye në akuza ndaj kryeministrit Rama. Sipas Rakipit, Rama po tenton të instalojë komunizmin.
“Kjo është iniciativë e kryeministrit dhe kryetarit të Partisë që po tenton të instalojë komunizmin, që është Edi Rama. Ju më mirë se ne e shikoni se çfarë ndodh në politikën perëndimore. Paketa anti-shpifje është iniciativë personale e kryeministrit që e ka prezantuar disa herë. Ndoshta disa prej jush jeni të kënaqur me daljet e liderit i cili del me imazhin e Muhamedit, e keni parë si vishet. Pastaj thotë nëpër rrugët e Kasharit, pushojeni këtë hale. Kanë prirje fashiste që e vendosin median online në funksionin e dy institucioneve që kontrollohen nga qeveria. Do të marrin vendime për të goditur mediat me ato shifra, mbyllje që bën lideri ynë suprem. Urdhëri administrativ duhet të dalë në gjykatë, këtë do të bëni ju deputetë, por dijeni se turp do të jetë”, tha Rakipi në komision.
Ndërsa përvaqësuesja e BIRN-it në Shqipëri Kristina Voko tha se në asnjë vend tjetër demokratik nuk ekzistojnë ligje të ngjashme. “Një presion shumë i madh dhe në kohë të papërshtatshme për të kaluar këto dy ligje për censurë. Shpresoj që me deklaratat tona ne i refuzojmë në parim këto dy projektligje. Në asnjë vend tjetër demokratik nuk ka iniciativa të tjera të ngjashme përveçse në Rusi. Në relacionet e këtyre dy ligjeve pretendohet se është marrë si model nga vendet perëndimore por nuk është aspak e vërtetë”, tha Voko.
Ndërsa pedagogu Elvin Luku tha se këto dy drafte e censurojnë drejtpërdrejt median online. “Asnjë nga kritikat tona nuk është vlerësuar. Raporti i OSBE, erdhi me 80% të rasteve që ne i patëm nxjerrë 6 muaj më parë. Edhe kritika e fundit e OSBE. Problematika fillon që kur amendon ligjin për mediat si për Tv ashtu për mediat online. I mëshoj shumë vetërregullimit të medias dhe të mos ngatërrohen mediat me rrjetet sociale”, tha Luku.
Më herët zyrtarë të OSBE, BE, Këshillit të Europës dhe UNDP kërkuan rishikimin e variantit të tretë të projekt-amendamenteve ligjeve “anti-shpifje”, ose rifillimin e punës nga e para për ligjet me ndikim mbi mediat. Ata i bënë komentet në një seancë dëgjimore para komisionit parlamentar të medias ku shprehën kritika për draftet e qeverisë.
Më herët përfaqësuesi për mediat në OSBE përmes një letre dërguar Ramës i kërkoi rishikimin e ligjit të ri për mediat që është pjesë e paketës anti-shpifje. Sipas përfaqësuesit të OSBE, Harlem Desir disa nene të këtij ligji i japin shumë kompetencë AMA në kufizimin e lirisë së medias ndërkohë që gjobat financiare të parashikuara nga qeveria në rast shkeljesh janë tejet të larta. Përfaqësuesi i OSBE gjithashtu sugjeron që me shpifjen të mos merret as AMA dhe as ndonjë organ tjetër administrativ, por kjo të jetë kompetencë e gjykatave.
Çfarë parashikon paketa anti-shpifje e miratuar nga qeveria?
Paketa anti-shpifje e miratuar nga Këshilli i Ministrave më 3 korrik 2019 parashikon masa të ashpra ndaj portaleve në rastet e publikimit të lajmeve “fake”. Ndryshimet në ligj parashikojnë gjoba dhe penalizime të rënda deri në mbylljen e portaleve. Por për të mbërritur deri te masat e ashpra, pra mbylljen e këtyre portaleve, do të duhen disa hapa. Fillimisht projektligji parashikon legalizimin e portaleve, evidentimin e pronësisë, dhe ç’është më e rëndësishmja burimet e financimit.
Do të jetë këshilli i ankesave te AMA ai që do të kujdeset për të shqyrtuar ankesat që bëhen për publikimet “online”. Personat e cënuar, sipas projektligjit të ri, ankohen në Këshillin e Ankesave pranë “AMA-s”. Nëse media “online” nuk bënë sqarimin, atëherë merren masa duke vendosur gjoba që nisin nga 100 mijë deri në një milionë lekë. Gjoba fikse prej 800 mijë lekësh parashikohet kur ankesa e qytetarit nuk merret në konsideratë nga Operatori i Publikimit të Shërbimit Elektronik.
Proejktligji parashikon rastet kur media “online” mbyllet për periudha të ndryshme. Nëse në një vit publikon 3 “fake neës”, bllokohet 24 orë, nëse bënë 4 “fake neës”, bllokohet një javë dhe me 5 “fake neës”, bllokohet për një vit.
Masat që parashikon projektligji anti-shpifje:
-Pezullim/bllokim të aksesit në internet, për një afat 24 orë, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer 3 kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj.
– Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat 7 ditor, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se katër kundërvajtje administrative.
– Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat njëvjeçar, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se 5 kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj.
– Bllokimin përfundimtar/mbylljen e aksesit të shërbimit të publikimit elektronik në territorin e Republikës së Shqipërisë nëse nuk marrin në shqyrtim ankesat e përcjella prej Këshillit të Ankesave, më shumë se katër herë gjatë një viti kalendarik”.
Gjobat:
– Me gjobë nga 100 000 lekë deri në 1,000,000 lekë kur nuk respekton detyrimet e nenit 33/1 të këtij ligji.
– Me gjobë në masën 800, 000 lekë kur nuk respekton vendimin e Këshillit të Ankesave apo të drejtën e përgjigjes, sipas nenit 53/1 të këtij ligji”./realstory.al