Guardia di Finanza ka përmbyllur me sukses një operacion anti droge në brigjet e Brindisit ku ka kapur vetëm pak milje pranë bregut një gomone që drejtohej nga një shqiptar dhe që në bordin e saj kishte jo pak, por një sasi prej 4 milionë eurosh drogë.
Gjatë veprimtarisë së zakonshme të patrullimit detar, njësia detare e Departamentit të Operacioneve Aeronavale Bari, pikasi gomonen e shqiptarit vetëm disa milje pranë bregut. Tipologjia e mjetit, pozicioni i pazakontë dhe deklaratat e paqarta dhe të paqëndrueshme të bëra nga kontrabandisti shqiptar kanë bërë që parrulluesit të ushtrojnë një kontroll të imtësishëm në anije.
Në bordin e anijes, në një ndarje nën urën e komandës, policët gjetën 186 pako të mbështjella me letër celofani në një total prej 310 kg. marijuanë dhe 24 kg hashash që nëse dilnin në treg do të siguronin një fitim monetar prej 4 milionë eurosh.
Anija e përdorur për trafikun e paligjshëm, rreth 5 metra e gjatë, u konfiskua nga autoritetet, ndërsa trafikanti shqiptar u arrestua me akuzën e trafikut të drogës.