Papa paralajmëron politikanët për sfidat që sjell zhvillimi i Inteligjencës Artificiale

BOTA


Papa Leoni i XVI paralajmëroi politikanët këtë të shtunë, më 21 qershor, mbi sfidat që sjell përparimi i Inteligjencës Artificiale, duke theksuar ndikimin e mundshëm që kjo teknologji mund të ketë mbi brezat e rinj si një shqetësim kryesor.

Gjatë një ngjarjeje ku morën pjesë kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dhe delegacione parlamentare nga 68 vende, Papa Leoni XVI riktheu një temë që ka trajtuar disa herë gjatë javëve të para të pontifikatit të tij.

“Në veçanti, nuk duhet harruar se inteligjenca artificiale është një mjet në shërbim të të mirës së njeriut, jo për t’i zvogëluar ata apo për t’i zëvendësuar,” tha Papa Leoni gjatë ceremonisë së Vitit të Shenjtë Katolik në Romë.

Përkrahësit e Inteligjencës Artificiale argumentojnë se ajo do të përshpejtojë progresin shkencor dhe teknologjik dhe do t’u ndihmojë njerëzve të kryejnë detyrat rutinë, duke u dhënë më shumë kohë për punë kreative dhe me vlerë më të lartë.

Pontifi, i lindur në SHBA, nënvizoi nevojën për të mbrojtur “stil jetese të shëndetshëm, të drejtë dhe të qëndrueshëm, veçanërisht për të mirën e breznive të reja.”

Ai theksoi se “memorja statike” e inteligjencës artificiale nuk mund të krahasohet me fuqinë “krijuese dhe dinamike” të memories njerëzore.

“Jeta jonë personale ka më shumë vlerë sesa çdo algoritëm, dhe marrëdhëniet shoqërore kërkojnë hapësira për zhvillim që tejkalojnë modelet e kufizuara që çdo makinë pa shpirt mund të paracaktojë,” shtoi ai.

Papa Leoni XVI, i cili u zgjodh në maj, ka folur më parë për kërcënimet që sjell inteligjenca artificiale ndaj vendeve të punës dhe ka bërë thirrje që gazetarët ta përdorin atë në mënyrë të përgjegjshme.



Skip to toolbar