Denoncimi te SPAK, Shëndetësia ndryshon koncensionin e sterilizimit

AKTUALITET


Pas denoncimit në Prokurorinë e Posaçme nga Nisma Thurje, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se është ndryshuar koncensioni i sterilizimit. Ajo tha se kontrata është amenduar, duke u shprehur se për 64 mijë ndërhyrje do të ketë një reduktim deri në 25% të pagesës për çmimin e seteve për kompleksitete të ndryshme.  

“Kemi amenduar kontratën e sterilizimi, dua të bëj një parantezë këtu, nuk është vetëm një kontratë që ofron vetëm sterilizimin por instrumente, pesë procese pune dhe të gjithë elementët që ofrojnë siguri maksimale për shëndetin e qytetarëve. Një amendim i kësaj kontrate ka ndodhur në javën e dytë të këtij muaji, të janarit, duke reduktuar pagesat për mbi 64 mijë ndërhyrje për kompleksitetet. Ajo që kemi përfituar është siguria për qytetarët”, tha Manastirliu.


Megjithatë, ministrja shtoi se nuk duhet të shihen numrat por cilësia e shërbimit për jetën e qytetarit. “Tani mbi 64 mijë ndërhyrje ka reduktim 25% të pagesave për kompleksitetet. Numri i ndërhyrjeve nuk shtohet se duam ne por nga sëmundshmëria. Ne duhet të synojmë shumë te cilësia, kjo do të thotë se nuk janë të rëndësishëm numrat, por cilësia. Numrat nuk kanë qenë problem. Nuk ka pasur reduktim, por racionalizim.

Çdo institucion ka një buxhet, që është vjetor dhe harxhimet janë në bazë të asaj që ndodhet. Çdo spital organizon punën në bazë të prioriteteve dhe sigurisht urgjencat dhe planifikimet janë zgjidhur 100%. Është bërë një vlerësim i cili ka rakorduar që mund të rishikohet mbi një normale mi 64 mijë ndërhyrje çmimi i seteve, kompelskiteteve të ndryshme, dhe është arritur për të reduktuar 25% mbi 64 mijë ndërhyrje” deklaroi ministrja.

Pak kohë më parë, Nisma Thurje denoncoi në Prokurorinë e Posaçme koncensionin e sterilizimit. Ndërkohë, mjeku Artan Koni ishte të hënën për të dëshmuar përpara prokurorëve të SPAK, ku pritet, gjithashtu, të thirren dhe persona të tjerë për dëshmi. Ndërkohë,  denoncuesit dyshojnë se koncesioni i sterilizimit është korruptiv, pasi ka kosto të larata për buxhetin e shtetit.




Skip to toolbar