“PD duhet të funksionojë e plotë”, Alibeaj: Askush nuk u kërcënua gjatë Kryesisë

Më të fundit


Ish-kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka mohuar të jetë ushtruar presion nga mbështetës të Bashës ndaj anëtarëve të Kryesisë gjatë mbledhjes së Kryesisë në mbrëmjen e së mërkurës.

Alibeaj thekson se askush nuk është kërcënuar gjatë mbledhjes që zgjati më shumë se 8 orë, ndërsa thekson se pamjet e publikuara në fakt janë thjesht reagime emocionale të demokratëve.


“Në mbledhjen për aq sa zgjati, asnjë prej anëtarëve të kryesisë nuk ka qenë në presion. Unë isha në mbledhje, po them atë që mendoj dhe perceptoj unë. Ka pasur qëndrime të ndryshme, ku kanë brenda emocione dhe tensione. Por nuk është kërcënim. S’ka pasur presion. Ju mund ta perceptoni kështu. Nëse ju e konsideroni veten anëtarë të Kryesisë, edhe mundet. Kryetarët e degëve janë PD, ata që në 8 janar ishin në mbrojtje të deputetëve. Jua kërkoj unë ndjenjën nëse kjo është pak…ose jua them dhe dy herë. Por ju kërkoj të nxirrni atë që është problemi kryesor. Në mbledhjen e Kryesisë është thënë opinioni i gjithsecilit për mënyrën se si duhet të ecë përpara PD-ja” thekson ai.

Nga ana tjetër, Alibeaj nënvizon se PD duhet të marrë formën e plotë të funksionimin të saj, pasi sipas tij nëse kjo nuk ndodh historia do përsëritej.

“Unë jam me idenë sipas rregullave të Kryesisë, mbledhjet nuk duhet të dalin në publik. Është një lloj solidariteti, ruajtje e privatësisë, e megjithatë për sa kohë është çështje publike, do duhet që PD-ja një orë e më parë të marrë formën e plotë të funksionimit të saj. Zgjatja e drejtimit të saj edhe me kryetar të komanduar, nuk ishte zgjedhja më e mirë. Ka qenë një vendim i Kryesisë dhe grupit parlamentar”, tha Alibeaj.

Kryesia vendosi që kreu i ri i PD të zgjidhet me 29 korrik, ndërsa pas përfundimit të mbledhjes një grup mbështetës i Bashës ofendoi anëtarët që ishin shprehur kundër këtij vendimi.




Skip to toolbar