PD kundër minutazhit në Kuvend: Kur flet opozita të zë virusi? Po 22 mijë vetë në stadium

Më të fundit


Ka nisur me debate seanca e sotme plenare në Kuvend, ku opozita nuk ka qenë dakord me minutazhin e lënë në dispozicion për ta, që të diskutojnë projektligjet. I prani që kërkoi ndryshim të vendimit të Konferencës së Kryetarëve ishte nënkryetari i PD-së, Alfred Rushaj. Ai tha se në këtë seanca po shkelet rregullorja.

“Dua t’ju sjell në vëmendje se kjo seancë po bëhet në shkelje të rregullores.”, tha ai.


Të njëjtën gjë tha edhe deputeti i PD-së, Gazmend Bardhi, i cili pohoi se kryetarja e Kuvendit po i heq të drejtën e fjalës opozitës.

“Mos na mohoni të drejtën e fjalës. Kjo s’ka ndodhur kurrë që deputetëve të opozitës, 63 deputetë, që të flasin 100 minuta. Ndërkohë rregullorja na ka dhënë të drejtën që të flasim 600 minuta. Ju tani duhet të ndërprisni seancën?! Opozitës nuk mund t’i mbyllet goja në një parlament që ekziston në një vend minimumi normal. Ju keni detyrimin që të thoni se kush është arsyeja që keni marrë këtë vendim. Doni t’i hiqni të drejtën e fjalës opozitës? Jeni aty jo thjesht për t’u bërë transmetuese e vendimeve. Jua ka kërkuar Edi Rama? Nuk është argument!

Nikolla: Është marrë me vendimmarrje të përbashkët në Konferencën e Kryetarëve.
Bardhi: Kush ju ka thënë ju kryetare se po të flasin deputetët e opozitës të zë covid-i?! Dhe të jesh mbi 20 mijë veta në stadium nuk të zë virusi.

RENDI I DITES
Në rend dite, janë parashikuar disa pika për t’u hedhur për votim. Ndër to, është parashikuar miratimi i dekretit të Presidentit të Republikës, për “menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu, do të votohet projektvendimi për ngritjen e komisionit hetimor për kontrollin e keqpërdorimit të burimeve të administratës shtetërore, si dhe të asgjësimit të kufirit midis shtetit dhe partisë Socialiste në pushtet për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Sakaq do të votohet dhe për ngritjen e komisionit hetimor lidhur me çështjen “Bechetti”, e kërkuar kjo me ngulm nga Partia Demokratike.

Në përfundim të rendit të ditës, deputetët nga të gjitha krahët partiakë kanë të drejtën të diskutojnë jashtë çështjeve të paracaktuara.

Rendi i Ditës:

Seancë plenare PUBLIKE E enjte, 14 tetor 2021, ora 10.00 Rendi i ditës Në mbështetje të Urdhrit nr. 13, datë 12.10.2021 të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, rendi i ditës është si më poshtë vijon:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 7.10.2021. (Neni 44, pika 2 e Rregullores)

2. Njoftime. (Neni 44, pika 3 e Rregullores)

3. Dekret i Presidentit të Republikës nr. 13.179, datë 28.07.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 86/2021 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr. 25, datë 22.06.2021 i Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9936, datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””. (Neni 85 i Kushtetutës dhe nenet 86 dhe 73-77 të Rregullores. Dekreti humbet fuqinë e tij kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit) Shprehet komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat Diskutime (Shprehen grupet parlamentare) Koha e votimit

4. Dekret nr. 13.186, datë 28.07.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 87/2021 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr. 26, datë 22.06.2021 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 137/2020 “Për buxhetin e vitit 2021”. (Neni 85 i Kushtetutës dhe nenet 86 dhe 73-77 të Rregullores. Dekreti humbet fuqinë e tij kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit) Shprehet komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat Diskutime (Shprehen grupet parlamentare) Koha e votimit 2

5. Dekret nr. 13.166, datë 16.07.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 79/2021 “Për të huajt”. (Neni 85 i Kushtetutës dhe nenet 86 dhe 73-77 të Rregullores. Dekreti humbet fuqinë e tij kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit) Shprehet komisioni përgjegjës për Sigurinë Kombëtare Diskutime (Shprehen grupet parlamentare) Koha e votimit

6. Dekret nr. 11.762, datë 5.10.2020 “Për propozimin Kuvendit të Shqipërisë të kandidaturave për anëtarë të Komisionit të Konkurrencës në Autoritetin e Konkurrencës”. (Neni 60 dhe 111 Rregullore Kuvendi, ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” të ndryshuar””, votim i fshehtë, shumicë e thjeshtë votash për miratim). Shprehet komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat Diskutime (Shprehen grupet parlamentare) Koha e votimit

7. Projektvendim “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për kontrollin e keqpërdorimit të burimeve të administratës shtetërore, si dhe të asgjësimit të kufirit midis shtetit dhe partisë Socialiste në pushtet për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021”. (Neni 77 i kushtetutës, neni 25 i Rregullores së Kuvendit, ligji nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, votim i hapur, shumicë e thjeshtë votash për miratim)

8. Projektvendim “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve administrative dhe procedurës së ndjekur nga ana e organeve ekzekutive në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë, Elbasan dhe Fier”. (Neni 77 i kushtetutës, neni 25 i Rregullores së Kuvendit, ligji nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, votim i hapur, shumicë e thjeshtë votash për miratim)

9. Projektvendim “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjell si pasojë vendimin e arbitrazhit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”. (Neni 77 i kushtetutës, neni 25 i Rregullores së Kuvendit, ligji nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, votim i hapur, shumicë e thjeshtë votash për miratim)

10. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (60’).




Skip to toolbar