PD në parlament? Balla: Rikthimi në sistem është një lajm i mirëpritur

Më të fundit



Kreu i grupit parlamentar dhe sekretari i përgjithshëm i PS Taulant Balla ka komentuar mbrëmjen e sotme në “Real Story” në News24 zhvillimet në kampin opozitar dhe deklaratat për kthimin në parlament të PD, ndërkohë që akuzat për manipulimin e zgjedhjeve do të ndiqen në rrugë institucionale.

Balla tha se e përshëndet këtë zhvillim dhe se rikthimi i PD në sistem është një lajm i mirëpritur. Sipas tij, ankimet e çdo partie duhet të ndiqen në rrugë institucionale.


“Në qoftë kështu… Është gjëja më e mirë. E përshëndes nëse PD ka kuptuar që rruga e bojkotit dhe e largimit nga institucionet nuk të çon asgjëkundi përveçse në humbjen tjetër të radhës. Sot është miratuar tabela e rezultateve nga KQZ. Prej sot fillojnë numërohen ditët e afateve të ankimimit apo kontestimit. Mendoj që çdo parti politike, ankimet e veta t’i ndjekë në rrugë institucionale. Uroj që PD t’i rikthehet institucioneve. Të qenit jashtë parlamentit nga 26 shkurti i vitit 2019 dhe më pas dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore e nxori PD nga sistemi. Rikthimi i PD në sistem është një lajm i mirëpritur. Unë realisht e besoj dhe dua të nënvizoj atë që DASH tha që ne përshëndesim rezultatin e zgjedhjeve, vazhdojmë partneritetin e ngushtë strategjik me kryeministrin Rama, por përshëndesim edhe fushatën e PD.
PD bëri një fushatë të fortë. Ka rikuperuar në një pjesë të madhe të territorit nga diferenca e madhe e 2017-ës, por të mos harrojmë që këto janë limitet e PD.
Unë rezultatin e PD në Elbasan e kam parashikuar në kokë. Është i njëjti rezultat që PD ka marrë në vitin e vet më të mirë, në 2009. Pra 57 mijë vota ka marrë PD në vitin e vet më të mirë që ka qenë viti 2009. Natyrshëm që me këtë rezultat nuk mund të jepte më shumë se sa ka dhënë. Nëse PS e ka fituar një mandat në Elbasan me 11 mijë vota, PD e ka fituar një mandat në Elbasan me 9 mijë e pak vota”, deklaroi Balla.

Sa i përket këtyre shifrave që përcaktojnë mandatet, ai tha se PD në përballjet me PS nuk i ka fituar asnjëherë zgjedhjet.
“Ka qenë gjithmonë një faktor i tretë. Në Shqipëri në gjithë këto vite gjithmonë ka një avantazh në vota të PS. Në 2009 kemi qenë në një avantazh prej 20 mijë votash me PD. Ajo që Eduard Selami kishte thënë sot me të drejtë është që mosnjohja e parlamentit, mosnjohja e rezultatit të zgjedhjeve është një akt antikombëtar. Jemi në një moment tejet historik për rrugën europiane të Shqipërisë. Ne na duhet domosdoshmërisht brenda presidencës portugeze ne të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare. Viti i ardhshëm fillon me presidencë franceze. Një presidencë franceze që brenda vetes ka dhe zgjedhjet presidenciale franceze. Që do të thotë që do të ishte pothuajse as duhet çuar në mendjen e ndokujt të flitet për procese zgjerimi përgjatë asaj presidence”, deklaroi Balla.