Ndërsa PS-ja po zhvillon takimin elektoral në Durrës, në pjesën tjetër të sheshit para bashkisë një grup demokratësh dhe opozitarësh po protestojnë kundër kryeministrit Edi Rama. Në krye të protestës janë ish-deputetët e PD-së për këtë qark dhe kryetari i degës së PD në Durrës, Ferdinand Xhaferri, por edhe përfaqësues të tjerë të opozitës si Agron Duka dhe të tjerë. Militantët e PD të mbledhur pranë zonës ku kreu i qeverisë Edi Rama po mban mitingun elektoral për këtë zonë, janë përplasur me policinë duke u përpjekur të pengojnë takimin e tij. Ata janë përpjekur të çajnë kordonin e policisë.
Duke marrë shkas nga kjo protestë, kryeministri Rama ka ironizuar protestën e PD gjatë fjalës së tij, duke i kujtuar kreut të degës së PD në Durrës, Xhaferrit premtimet që ka bërë kur konkurronte për Bashkinë e Durrësit përballë Dakos. “Do ishte kënaqësi e madhe që në Durrës të kishim një kandidat të PD-së që të na tregonte për Durrësin, përveç se të rrisin cilësinë e diellit, që ata e kanë në program dhe ne nuk e kemi” tha ai për Xhaferrin, që tani është kryetar i PD-së në degën e Durrësit.