Pendarovski mbron Shqipërinë, Meta “vajton” Maqedoninë e Veriut

AKTUALITET


Nga Mero Baze

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta kanë ndërruar rolet në përballjen e tyre me shtypin. Presidenti i Maqedonisë verore, mbrojti qëndirmin se Shqipëria dhe Maqedonia u ndëshkuan jo për shkak të standarteve të tyre, por për shkak kushteve që Franca i vuri BE dhe mbrojti Shqipërinë duke theksuar se ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nuk ka qenë kurrë pjesë e fjalorit të tij politik.


Pas tij Ilir Meta bëri të kundërtën. Ai ndau Shqipërinë nga Maqedonia dhe la të kuptohej se mosplotësimi i kushteve nga Shqipëria dogji dhe Maqedoninë. Dmth përballë publikut, Presidenti i Maqedonisë së Veriut mbron Shqipërinë, kuse Presidenti i Shqipërisë përpiqet të jetë në anën e dikujt, që nuk i ka kërkuar ndihmë, duke këmbngulur se Shqipëria ka dëmtuar Maqedoninë e Veriut. Ky pozicion qesharak i Presidenti të Shqipërisë, buron nga disa arsye komplekse.

Fillimisht, buron nga fakti që Bashkimi Evropian jo vetëm nuk përfilli asnjë nga arsyet që Ilir Meta mendonte dhe vazhdon të pretendojë se na kanë shtyrë negociatat, por bëri dhe të qartë se ato nuk janë problem i tyre. Për gjashtë muaj rresht, ndërsa përpiqej ti vinte flakën Shqipërisë, Ilir Meta po përdorte si terror mbi opinionin publik, faktin që nëse nuk bëhej siç thoshte ai, më 18 tetor BE nuk do hapte negociatat për revolucionin e tij. Ai këmbngulte se nëse bëheshin zgjedhjet e 30 Qershorit dhe akoma më keq nëse nuk bëheshin zgjedhjet më 13 Tetor, ne nuk do mernim negociatat. Në fakt asnjë nga këto arsye nuk u përfillën.

Përkundrazi reaksioni ndaj reformës në drejtësi, çfarë ishte në vetevete revolucioni Meta-Berisha i pranverës, janë quajtur sakrificë e Shqipërisë për të merituar negociatat. Nga ana tjetër Ilir Meta ka një problem dhe me enturazhin politik në pushtet në Maqedoni. Si mbështetës i pakursyer i Gruvskit dhe klanit të tij, ai luftoi gjatë që koalicioni i shqiptarëve me Zaevin të dështonte dhe për më tepër ishte dhe kundër mënyrës se si Maqedonia u soll me Gruevskin, sidomos me dënimin dhe arratisjen e tij në rrugën Qafë Thanë-Lalëz-Muriqan.

Stevo Pendarovski, është produkt i koalicionit të shqiptarëve me të majtën maqedonase dhe është i pari president i Maqedonisë, që po përdor shqipen në twiter-in e tij zyrtar, duke u ndjerë president dhe i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ilir Meta është i shqetësuar nga afërsia e tij me qeverinë shqiptare dhe po përpiqet ti mbush mendjen se Maqedonia është ndëshkuar prej Shqipërisë dhe Edi Ramës.

Stevo Pendarovski e di vet për çfarë arsye është bllokuar Maqedonia ashtu si dhe Shqipëria, dhe nuk ka nevojë për mesazhe publike nga Ilir Meta për këtë çështje. Por fakti, që Ilir Meta sillet si avokat i Maqedonisë së Veriut, pa ja kërkuar dhe Stevo Pendarovski si avokat i Shqipërisë tregon shumë për dëshpërimin e Presidentit tonë nga rruga e përbashkët e Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut drejt BE. Ai i do të ndara dhe mundësisht Shqipërinë jashtë liste. Stevo Pendarovski i do të dyja bashkë.




Skip to toolbar