Përgjimet e “Sky Ecc” fundosin Erzen Breçanin dhe Ervin Matën

AKTUALITET


Hetimi pasuror i nisur nga SPAK ndaj grupit kriminal ku doli i përfshirë Erzen Breçani, djali i tij Eralbi dhe i kërkuari Ervin Mata, vijon me mbledhjen e provave.

Të akuzuar si të tjerë të përfshirë në trafik droge, grup kriminal e krijim kushtesh për vrasje, po vijohet me mbledhjen e të dhënave për bizneset dhe pronat e luajtshme dhe të paluajtshme.


Përveç emrave të 11 personave të përfshirë direkt në hetim, 4 nga të cilët janë arrestuar dhe 7 që janë në kërkim, SPAK tha se po verifikon pasurinë e familjarëve të tyre dhe të këngëtares Elvana Gjata, e cila përmendet në dosje për përdorimin e llogarisë së saj bankare nga Ervin Mata.

Ky i fundit ka kryer biseda në “Sky ECC” për trafikim droge në disa episode, ndërkohë që nuk rezulton të ketë në emër të tij ndonjë biznes. SPAK po verifikon emrat e familjarëve. Ndërkohë Erzen Breçani rezulton i lidhur me dy kompani.

Subjekti “HEC Drita Energy”, me administrator Eralbi Breçani, i përgjuar direkt në biseda për trafik kokaine dhe transaksione financiare, është themeluar në 23 shtator 2019 me objekt aktiviteti ndërtimi, shfrytëzimi dhe administrimi i Hidrocentralit “Drita”, deri tek shitja e energjisë.

Punimet në lumin e Gashit, Bashkia Tropojë, janë bërë me leje ndërtimi të dhënë nga KKT, në datë 12.07.2019. Veprimet e fundit të HEC, janë kryer më 23 korrik 2023, dhe që prej datës 15 mars 2022 subjekti është i pezulluar. Subjekti ka dalë me humbje që nga viti 2019, deri në vitin 2022 duke raportuar aktivitet negativ.

Ligjërisht mbetet e paqartë me çfarë janë përballuar humbjet e HEC-it ndërkohë që në faqet 84 dhe 85 të dosjes së SPAK, Erzen Breçani është përgjuar teksa bisedon me djalin e tij për shuma që i nevojiteshin nga 300 deri në 500 mijë euro për përballimin e shpenzimeve, madje, në një bisedë, tregon se kishte edhe probleme me pagat e punëtorëve.

Në dosjen voluminoze është fiskuar edhe mesazhi i Erzen Breçanit ku i thotë djalit se i duhen 300 mijë euro për turbinat dhe e pyet nëse do të vonohen paratë në mënyrë që t`i thotë administratorit Fatbardh Breçani të marrë kredi.

Kompania që ka në pronësi HEC-in që po ndërtonte Erzen Breçani është shoqëria e sigurisë Breçani R.O.S.P, e themeluar më 6 prill 2005. Kjo e fundit ka si objekt të aktivitetit shërbimin e ruajtjes dhe i sigurisë fizike të personave dhe objekteve dhe transportimin e vlerave monetare e sendeve të çmuara.




Skip to toolbar