Prokuroria e Posaçme ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me përplasjen me armë zjarri në Bushat, të ndodhur në gusht të vitit të kaluar.
GJKKO ka caktuar masat e sigurisë “arrest në burg” për Samuel Troshanin, Izmir Sakicën, Franko Lekën dhe Aleksandër Prendin.
Sakica dhe Troshani janë tashmë pas hekurave pas vetëdorëzimit në polici disa javë më parë, ndërsa dy të tjerët Prendi dhe Leka janë në kërkim.
Sipas SPAK Samuel Troshani, Izmir Sakica, Franko Lekë në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.
Njoftimi:
SPAK kërkon masa shtrënguese ndaj katër personave të hetuar për disa vepra penale
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve për procedimin penal me nr.220 të vitit 2024, ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues. Më datë, 16.02.2025, përmes vendimit nr.11, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 11, të datës 16.02.2025 ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personave nën hetim I.S., S.T. dhe F.L., të dyshuar për kryerjen e veprave penale, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje“, kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake“, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 80- 28/4, 278/1, 333/a dhe 334/1, të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg“, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim A.P., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje“, e mbetur në tentative dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake“, parashikuar nga nenet 76-22 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Nga hetimet e zhvilluara rezulton se më 23.08.2024, rreth orës 17.00 të pasdites personat nën hetim I.S., S.T. dhe F.L., bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.
Personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, se ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e personit nën hetim A.P. dhe familjarëve të tij, banorë të kësaj zonë.