Përurohet spitali i ri infektiv, Rama: Brenda mandatit. 100% rritja e pagave për mjekët!

AKTUALITET


Qeveria Rama synon që brenda këtij mandati ta çojë në 100% rritjen e pagave për mjekët. Lajmin e bëri të ditur kryeministri gjatë përurimit të spitalit të ri Infektiv në QSUT.  Me buxhetin e ri të vitit 2023, Rama tha se rritja e pagave për mjekët dhe infermierët do të shkojë në 70%, e më pas rritja në 100% synohet deri në përfundim të mandatit.

“Brenda këtij mandati ta çojmë në 100 për qind rritjen e pagës, në raport me pikënisjen. Me buxhetin e ri shkojmë në 70%, me ndihmën e Zotit që mos na ndodhë ndonjë katastrofë që të na detyrojë… ta spostojmë fondin,” tha kryeministri Edi Rama.


Spitali i ri i “Infektivit” në QSUT është përuruar sot pas disa muajsh në proces rikosntruksioni.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e përurimit bashkë me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirlu, është shprehur se godina e re është një formë shprehjeje e mirënjohjes për mjekët dhe infermierët, për punën e palodhur që bënë gjatë pandemisë.

Sa i përket kësaj të fundit, Rama e cilësoi si një histori të madhe suksesi pasi stafeve spitalore u desh të përballeshin me “sfidën më të madhe të mjekësisë shqiptare që nga themelimi i shtetit shqiptar”

“Nuk duhet lënë rast pa e shprehur respektin dhe mirënjohjen. Kjo godinë është shprehje e mirënjohjes.

Çfarë u bë një histori e madhe suksesi për gjatë luftës me një armik të padukshëm, të mos mbetet thjesht një episod falë lidershipit të mjekëve me më shumë eksperiencë por edhe të trashëgohet te brezi më i ri si frymë e patjetërsueshme.

Ky investim do të shërbeje për të krijuar një sens më të fortë skuadre që e tregoi veten në momentin më tragjik për vendin, në sfidën më të madhe të mjekësisë shqiptare që nga themelimi i shtetit shqiptar…”




Skip to toolbar