Pezullohen nga puna 5 policë të rrugores në Tiranë

AKTUALITET


Pesë punonjës të policisë pranë Komisariatit Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë janë pezulluar nga puna.

Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre.”


U pezulluan nga detyra:

– Inspektor Albi Meta, 33 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Komisariatit Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë;

– Inspektor Euklid Meci, 31 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Komisariatit Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë;

– Inspektor Ilirjan Kalemi, 40 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Komisariatit Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë;

– Inspektor Gerald Shabani, 26 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Komisariatit Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë;

– Inspektor Jurgen Muha, 27 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Komisariatit Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë

Hetimet:

Në vijim të hetimeve për procedimin penal nr. 5333/2021, pas arrestimit në flagrancë të 2 punonjësve të Policisë Rrugore në datë 03.03.2022 dhe analizimi i të dhënave/fotografive të realizuara nga radari i sekuestruar, u administruan prova dhe fakte se punonjësit e mësipërm të policisë, në kohë dhe vende të ndryshme, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale si agjent verifikues pranë Komisariatit të Qarkullimit Rrugor Tiranë, kanë shpërdoruar detyrën duke ndëshkuar me masa administrative në mënyrë arbitrare, si dhe duke falsifikuar të dhënat e fiksuara nga radari në kundërshtim me ligjin.

Si pasojë kanë sjellë dëm të konsiderueshëm ekonomik dhe cenimin e interesave të ligjshëm të shtetit.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë vazhdojnë hetimet për përfshirjen e punonjësve të tjerë dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore.




Skip to toolbar