Piku i sezonit turistik, mijëra kosovarë mësyjnë bregdetin shqiptar

AKTUALITET


Kolona të gjata automjetesh janë regjistruar mëngjesin e së hënës në pikën kufitare të Morinës. Kosovarët edhe në këtë fillim jave i janë drejtuar bregdetit shqiptar. Kolona janë krijuar në të gjitha korsitë e hyrje për në Shqipëri.


Fluksi I automjeteve dhe qytetarëve të Kosovës për pushime në bregdetin shqiptar është më i madh krahasuar me fundjavën që lamë, por edhe me faktin e fillimit të javës ku fluksi është më i vogël. Mesa duket, përmirësimi i kushteve atmosferike dhe marrja e pushimeve vjetore ka shtuar fluksin e lëvizjes drejt bregdetit shqiptar. 

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Kosovës ka bërë të ditur se pritja në pikën kufitare për të hyrë në Shqipëri është 10 minuta. Policia kufitare shqiptare punon me gjashtë sportele e me procedurë të përshpejtuar të kalimit.

Rreth 80 mijë persona me 19 mijë automjete kanë hyrë nga Kosova në Shqipëri, javën e parë të gushtit vetëm përmes pikës kufitare të Morinit në Kukës, ndërkohë që në korrik mesatarja ditore e kalimeve në kufi drejt Shqipërisë dhe anasjelltas i kaloi mbi 10 mijë. 

Kujtojmë faktin se fundjava e parë e muajit gusht shënoi një fluks të jashtëzakonshëm të hyrjeve në Shqipëri të qytetarëve Kosovarë me destinacion bregdetin shqiptar me rreth 50 mijë pushues kosovarë.

Por fundjava e dytë e muajit gusht ka shënuar një rënie të lehtë të fluksit të hyrjeve në Shqipëri, e pazakontë për gushtin, ku fluksi është më i madh. Kjo për shkak të rrebesheve të shiut të dy ditëve  të fundit dhe uljes së temperaturave. 

Shtimi i rasteve me koronavirus në të dy vendet nuk ka zbehur aspak dëshirën e kosovarëve për të udhëtuar dhe pushuar në Shqipëri.