Policia: Ramiz Muçollari shkëmbeu zjarr me RENEA, rrezikoi seriozisht jetën e efektivëve

AKTUALITET


Shkëmbeu zjarr me Policinë lokale dhe më pas me forcat Speciale “Renea”, por si pasojë e shkëmbimit të zjarrit 62- vjeçari humbi jetën.

Forcat Speciale “Renea”, në bashkëpunim me Policinë lokale të Komisariatit të Policisë Maliq dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korcë, prej më shumë se 8-orësh mbajtën të rrethuar në fshatin Qesarakë, Maliq, banesën e shtetasit Ramiz Muçollari, i cili mbrëmjen e djeshme plagosi me thikë bashkëshorten dhe djalin e tij.

Shtetasi Ramiz Muçollari, pas plagosjes së dyfishtë u mbyll në banesë dhe nuk i’u përgjigj thirrjes së Policisë Vendore për t’u dorëzuar, por ka qëlluar me armë zjarri (mitraloz të lehtë) në drejtim të tyre.

Ndodhur në këto kushte janë dërguar me urgjencë në vendngjarje, Forcat Speciale “Renea”, të cilat kanë marrë nën kontroll perimetrin e afërt të sigurisë, ndërsa policia lokale është pozicionuar në perimetrin e largët të sigurisë.

Përgjatë natës, Forcat Speciale “Renea”, i kanë bërë thirrje të pandërprera për t’u dorëzuar, por 62-vjeçari nuk i është bindur thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka vijuar të qëllojë me armë zjarri drejt Policisë.

Në mëngjesin e sotëm, Forcat Speciale “Renea”, kanë mundur të hyjnë deri në katin e dytë të banesës së shtetasit Ramiz Muçollari, i cili ishte ngjitur në papafingon e banesës dhe ka hapur zjarr në drejtim të Forcave Speciale “Renea”, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Forcat Speciale “Renea”, në zbatim të plotë të procedurave standarte janë kundërpërgjigjur me zjarr dhe përreth një orë ka vijuar shkëmbimi i zjarrit. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, 62- vjeçari ka humbur jetën.

Theksojmë faktin se shtetasi Ramiz Muçollari, vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe gjatë ditës së djeshme ka qenë për vizitë me familjarët në spitalin psikaitrik, por nuk është shtruar në spital, dhe në mbrëmje kur janë kthyer në banesë ka nisur konfliktin me familjarët.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon kqyrja e vendit të ngjarjes për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.



Skip to toolbar