Presidenti i SHBA, letër Begajt: Mirënjohje Shqipërisë për rolin në sfidat globale

AKTUALITET


Presidenti Bajram Begaj mori sot, gjatë takimit me Përfaqësuesen e SHBA-së në OKB, Ambasadoren Linda Thomas-Greenfield, një mesazh falenderimi dhe mirënjohjeje nga Presidenti Biden për Shqipërinë dhe popullin shqiptar për bashkëpunimin e fuqishëm në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale.

“Si aleatë të NATO-s, kemi punuar së bashku për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në të gjithë botën. Përballë agresionit rus kundër Ukrainës, kemi qëndruar krah për krah në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kemi bashkëpunuar për rezoluta të lidhura me luftën e padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë si dhe për adresimin e sfidave të tjera globale” – shprehet Presidenti Biden në mesazhin e tij.


 Presidenti Biden vlerëson ndihmën bujare të Shqipërisë për strehimin e refugjatëve ukrainas dhe afganë, si kontribut për një botë më të sigurt.

 “SHBA mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar në mënyrë domethënëse dhe të vazhdueshme Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes kibernetike, përfshirë mbështetjen financiare dhe ngritjen e një grupi pune për sigurinë kibernetike”, theksohet në mesazh.

 Me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, Presidenti Biden nënvizon se në vitet e ardhshme dëshirojmë që ta thellojmë edhe më tej partneritetin tonë strategjik, si dhe do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për një rol më të madh lidershipi, përmes promovimit të stabilitetit dhe sigurisë energjitike në Ballkanin Perëndimor.

Letra e Biden vjen pasi rezoluta e propozuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për referendumet e Rusisë në Ukrainë është miratuar me 143 vota pro, 5 kundër dhe 35 abstenuan, duke përfshirë Kinën dhe Indinë. Vendet që votuan kundër rezolutës përveç Moskës ishin Bjellorusia, Siria, Nikaragua dhe Koreja e Veriut. Rusia shpalli aneksimin e 4 rajoneve, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia, por u bë e qartë nga ndërkombëtarët që nuk e njohin.




Skip to toolbar