Presidenti Joe Biden fillon vizitën në Francë

BOTA


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden arriti të mërkurën në Francë për të shënuar 80-vjetorin e zbarkimit të forcave aleate në Normandi. Ai planifikon gjithashtu që gjatë vizitës të theksojë nevojën për një aleancë të fortë transatlantike përballë agresionit rus në Ukrainë.

Presidenti Biden do të takohet me presidentin e Ukrainës dhe me veteranë amerikanë, pjesëmarrës në sulmin për të marrë nën kontroll plazhet në Normandi në vitin 1944, tha këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan.


Presidenti Biden do të flasë, siç tha zoti Sullivan, për sakrificat që bënë heronjtë dhe veteranët para 80 vjetësh. Zoti Sullivan gjithashtu theksoi se Presidenti do të theksojë se “është detyrimi ynë të vazhdojmë misionin e tyre për të luftuar për liri”.

Zoti Sullivan, i cili foli me gazetarët në bordin e avionit gjatë rrugës për në Paris, tha se Presidenti Biden do të mbajë gjithashtu një fjalim të premten në Normandi. Gjatë fjalimit, Presidenti do të flasë për “luftën ekzistenciale midis diktaturës dhe lirisë”.

Ushtarëve iu desh të lëviznin mes të shtënave të armikut për të fituar betejën që përfundimisht çoi në çlirimin e Francës dhe në fundin e Gjermanisë naziste.

“Ai do të flasë për rrezikun e veprimeve që çojnë në izolim dhe rrezikun që nëse iu nënshtrohemi diktatorëve dhe nuk përballemi me ta, ata do të vazhdojnë dhe Amerika dhe e tërë bota do të paguajë një çmim të lartë”, tha ai.

Presidenti Biden do të marrë pjesë gjithashtu në një pritje shtetërore të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron. Ai do të ketë një takim edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili është ftuar në ceremonitë që kujtojnë betejën vendimtare që çoi në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Presidentët amerikanë rregullisht marrin pjesë në ceremonitë që shënojnë këtë përvjetor. “Presidenti do të shkojë në Normandi për të përkujtuar sakrificat dhe trimërinë e ushtarëve, aleatëve dhe amerikanëve, të cilët luftuan atë ditë, duke marrë pjesë në Operacionin ‘Overlord’ që çoi drejt fundit të Gjermanisë naziste. Ky operacion gjithashtu shënoi fillimin e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla, që ne të gjithë vazhdojmë ta gëzojmë edhe sot”, tha për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby në Shtëpinë e Bardhë. Këtu, thonë analistët, historia jep mësime. “Zbarkimi ishte deklarata ushtarake e Aleatëve Perëndimorë se regjimet autoritare nuk mund të ndryshonin kufijtë me forcë”, thotë Mark Cancian, kolonel në pension i marinës amerikane dhe këshilltar në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. “Ai përcolli mesazhin që vendet nuk mund të pushtohen dhe se regjimet autoritare të tipit të Gjermanisë naziste, shtypja e tmerrshme e popujve, veçanërisht e hebrenjve, jo vetëm që ishin të papranueshme, por nuk do të do të lejoheshin të ndodhnin”. Analistët thonë se objektivat e zotit Biden për Ukrainën do të mbeten nën hijen e një tjetër konflikti, që ai e ka përkrahur duke ngjallur pakënaqësi. “Edhe pse padyshim Ukraina është përparësia kryesore për evropianët, ata po shohin se si politika e administratës së Presidentit Biden për Gazën po minojnë sigurinë evropiane në dy mënyra të ndryshme”, thotë Trita Parsi, nënkryetare e Institutit Quincy. “Para së gjithash, kjo po shkatërron besueshmërinë që ka komuniteti i gjerë ndërkombëtar dhe vendet e pjesës jugore të botës tek perëndimi. Çdo bisedë për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla, nuk do të merrej seriozisht, duke pasur parasysh atë që ka bërë administrata e Presidentit Biden”. Ky udhëtim në Francë, një aleat i ngushtë i Uashingtonit, po bëhet pak para mbajtjes së disa takimeve të nivelit të lartë, duke përfshirë Konferencën për Paqe për Ukrainën. Aty pritet të mblidhen udhëheqësit e Grupit të 7 vendeve më të zhvilluara të botës. Më pas do të mbahet edhe një takim i nivelit të lartë të NATO-s. Zëri i Amerikës e pyeti zotin Sullivan për rëndësinë e këtyre takimeve diplomatike për paqen në Evropë dhe më gjerë. “Unë mendoj se ne duhet t’i dërgojmë një mesazh të qartë [presidentit rus Vladimir] Putin se ai nuk mund të ketë sukses dhe as të shkaktojë përçarje mes nesh”, u përgjigj ai. “Këto janë dy mesazhe që i kemi bërë më se të qarta, nga të cilat nuk do të heqim dorë. Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer gjatë javëve të ardhshme për ta ritheksuar me forcë mesazhin tonë”./voa




Skip to toolbar