Presion i pandershëm mbi Lulzim Bashën për një marrëveshje të re!

AKTUALITET


Nga Mero Baze

Tani që gjithë aleatët formalë të Lulzim Bashës, kanë hequr dorë nga kushti i uljes në tryezë pa Edi Ramën, si pengesë për dialogun. Pas LSI, edhe Agron Dukës, sot dhe Fatmir Mediu këmbëngul që duhet të ulen në tryezë me Edi Ramën për zgjidhjen e krizës.  E parë nga jashtë duket sikur tani gjithçka ka mbetur në dorë të Lulzim Bashës dhe tek një “Po” e tij. Madje ata duket sikur po i përkëdhelin sedrën, sikur ai e ka në dorë uljen në tryezë, për një Marrëveshje të re.


Por e vërteta është se ky është një presion i pashpirt mbi Lulzim Bashën dhe jo një përpjekje për ta mbivlerësuar vendimin e tj. Kjo këmbëngulje tregon më shumë zhgënjimin nga ajo që Basha ka bërë para 30 Qershorit, se sa rrugëzgjidhjen që duhet të gjejnë tani. Dhe sa më shumë të këmbëngulin për këtë gjë, aq më të vështirë do t’ia bëjnë Lulzim Bashës ta pranojë këtë gjë.

Nëse aleatët e Bashës e kuptojnë se nuk ka asnjë zgjidhje pa u ulur në tryezë me Edi Ramën, Lulzim Basha e kupton se ky nuk është fillimi i zgjidhjes së krizës, por fillimi i dhënies së llogarisë së tij për atë që ka bërë. Në Shqipëri nuk ka ndryshuar asgjë, që Lulzim Basha të heqë dorë nga ky kusht. Në emër të këtij kushti, ai nxori PD-në nga Kuvendi dhe nga zgjedhjet, duke i kthyer në gjendjen e parapluralizmit në Shqipëri.

Natyrisht që ai ishte një kusht fallco, dhe i gjithë revolucioni siç e pranon dhe Ilir Meta, ishte një situatë artificiale. Por ndërsa të gjithë janë të lirë ta pranojnë këtë, Lulzim Basha nuk është i gatshëm të paguajë për këtë gjë. Ndaj përpara se të nxisin Lulzim Bashën që të ulet me Edi Ramën, aleatët e tij duhet t’i heqin atij frikën se nuk do marrë përgjegjësi për këtë gjë para partisë së tij.

LSI mund t’ia falë këtë gjëmë që i bëri, se shpreson se i rikuperon deputetët e humbur. Aleatët e PD, nuk kanë çfarë humbasin, veç 30 për qind të rrogës që u ulet si ish deputetë.  Por Lulzim Basha ka çfarë humbet. Ulja në tryezë me Edi Ramën tani mund ta shkarkojë atë nga detyra e kryetarit të partisë, pasi është një kapitullim pa kushte i rrugës thellësisht të gabuar që ai ndoqi për nxjerrjen e PD nga sistemi.

Dhe përderisa ky vendim nuk ishte i tij, por i Sali Berishës, ai nuk mund të ulet në tryezë, pa e marrë këtë vendim Sali Berisha. Ky i fundit nuk ka ndërmend ta hedhë atë hap, pasi ka parimin që Basha e di vetë se çfarë duhet të bëjë. Ndaj gjithë ky presion ndaj Bashës është ose përpjekje për ta ndarë atë nga Berisha, si e vetmja mënyrë që të shmangë shkarkimin, ose presion mbi Berishën që ta tolerojë këtë dështim.

Nëse Basha hyn në konflikt me Berishën, duke marrë shkas këtë krizë dhe duke i lënë atij përgjegjësinë për “revolucionin”, do të jetë një akt i madh reformues, por duke mos qenë i sinqertë mund ta shkatërrojë dhe më shumë Bashën. Për ta bërë këtë, ai duhet së pari të pajtohet me opozitën parlamentare, të ribashkojë PD-në dhe ti thotë Berishës “ose me ne ose vazhdo rrugën”. Por po bëri këtë, nuk i duhen më aleatët që po e ftojnë në tryezë me Ramën.

Nga ana tjetër Berisha nuk është i gatshëm ta dorëzojë Bashën në tryezën e Ramës, për të dalë nga kjo situatë. Në këto kushte nuk ka për të ndodhur asnjëra dhe statukuo-ja e pas 30 Qershorit do jetë i vetmi sukses i gjithë palëve.  

Problemi është se ulja në tryezë kërkon kokën e Lulzim Bashës dhe ai nuk është i gatshëm ta dorëzojë atë “në sini”, si trofe për të filluar zhbllokimin e krizës në vend. Ai nuk e ka aq të lehtë sa Monika, Mediu, Duka apo Shehi, uljen me Ramën. Ai ka më shumë problem uljen me Berishën, për të folur hapur se çfarë duhet të bëjnë, për të dalë nga spiralja ku kanë hyrë. Dhe kjo është një bisedë që do shtyhet gjatë.

Aq  gjatë sa njëri prej të dyve, të marrë i pari guximin që të pranojë se dështuan, ose guximin për t’ia lënë përgjegjësinë atij që e mori këtë vendim.  Deri atëhere, të gjithë do bëjnë, sikur me dialogun po merret dikush tjetër dhe nuk është problem. Madje kam frikë se dhe më 2021 do të jemi vonë dhe do të themi se nuk jemi gati për zgjedhje, se nuk jemi ulur akoma  për Kodin apo reformën elektorale, me pretendimin se “Ai” dikushi që duhet t’i ulte në tryezë nuk është shfaqur akoma.

Në fakt ai nuk do shfaqet kurrë, derisa dikush nuk është i gatshëm të paguajë për atë që ka bërë.30 Qershori nuk mund të ketë dy fitues, edhe Edi Ramën edhe Lulzim Bashën. Dhe ne e dimë kush ka humbur. Nëse do vazhdojmë ta trajtojmë humbësin si fitues, nuk duhet të presim zgjidhje prej tij.




Skip to toolbar