Jozefina Topalli komentoi primaret në PD duke u shprehur se nuk ka qenë simpatizante e këtij procesi. Sipas saj, primaret kishin dy gjëra pozitive: angazhimin e strukturave dhe diferencën me pjesën tjetër.
“Unë nuk hy në kategorinë e atyre që kanë qenë simpatizantë të primareve. Ajo ishte statuore. Primaret kishin dy gjëra pozitive: nxori nga shtëpia strukturën tonë për tu aktivizuar si shtylla kryesore e çdo force politike. Dhe e dyta bëri diferencën me pjesën tjetër.
Unë kam besuar gjithmonë që këto që hynë me primaret duhet të jenë në listën e hapur por ky ka qenë më shumë logjikë e imja sesa rregullore. Kam menduar që kjo është brenda një force, por në betejë nuk jemi me njëri- tjetrin dhe duhet të hynë dhe të rinj që nuk kanë qenë të angazhuar në strukturë.”
Ndër të tjera, Topalli u shpreh se është një rregull i pashkruar në PD që ka të bëjë me rinovimin e 1/3 të grupit dhe nëse ka një forcë politike që ka shpresë që gjërat do të ndryshojnë është pikërisht PD.
“Me aq periudhë sa unë kam qenë në PD ne kemi pasur një rregull të pashkruar, gjithmonë rinovonim 1/3 e grupit. Nuk ju vinte mirë, është njerëzore. E kuptoj mërzinë e çdokujt që mendon do jetë ose nuk do jetë. Ka dhe një arsye të dytë, po bëhet më shumë se 10 vjet që jemi në një sistem proporcional dhe një brez më vonë nuk janë mësuar me sistemin. Nëse ka një forcë politike që ka shpresë që gjërat do të ndryshojnë, është PD.”