Procedimi i Kapllanajt dhe Frrokajt, Bardhi: Do të marrin statusin e “të përndjekurit politik”

AKTUALITET


Nisja e procedimit penal ndaj kryetarit të Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj dhe atij të Mallakastrës Agron Kapllanaj, për PD-në është provokim i opozitës. Të paktën kështu u shpreh Gazment Bardhi gjatë një konference për shtyp nga Selia Blu. Madje, Bardhi shkoi më tej, duke i cilësuar veprimet e deritanishme për pengimin e zgjedhjeve, si “përgjegjshmëri” dhe “vetëpërmbajtje” e opozitës. “Partia Demokratike ka treguar deri më tani vetëpërmbajtje. Partia Demokratike ka treguar deri më tani përgjegjshmëri, për të ruajtur rendin kushtetues dhe stabilitetin demokratik të vendit”, u shpreh Gazment Bardhi.

Sipas Gaz Bardhit, opozita nuk do të trembet dhe do të jetë në këmbë për të mbrojtur, sipas Gazit, krimin elektoral të 30 qershorit. “Por ne as nuk shantazhohemi, as nuk trembemi, as nuk tolerojmë dhe as nuk harrojmë. Kryetarët e Bashkive që drejtohen nga opozita, janë në ushtrim të përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe ligjore. Ata do të vazhdojnë t’i binden vetëm ligjit. Ne jemi në këmbë, së bashku me qytetarët, për të ndaluar krimin elektoral të Edi Ramës në 30 Qershor! Shqiptarët janë të vendosur të mbrojnë demokracinë dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre”.

Gazmend Bardhi 30 qershorin e pranon si datë të zgjedhjeve. “Në 30 Qershor ligjërisht nuk ka zgjedhje. Në 30 Qershor qytetarët janë në të drejtën e tyre të mos pranojnë diktaturën autokratiko-kriminale të Edi Ramës. Në 30 Qershor në paligjshmëri është vetëm Edi Rama dhe banda e tij”. Në fund, Gaz Bardhi thotë se “kush procedohet penalisht për pamundësimin e zgjedhjeve, do të përfitojë statusin e të burgosurit politik”.



Skip to toolbar