Ministrja në ikje e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e ftuar në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokoll Balla, iu përgjigj pyetjes nëse ka ndrojtje për influencën e fqinjit në cens dhe një debati të ri, përveç “Belerit.
Ibrahimaj tha se në të kaluarën të gjithë etnitë dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare kanë kontestuar, por tanimë duhet të kenë besim, sepse procesi do të jetë elektronik dhe nuk do të ketë mundësi manipulimi.
Ajo shtoi po ashtu se në zonat problematike, anketuesit do të kenë shoqërues.
“Unë mund të them atë që ka ndodhur në të kaluarën. Për fat të keq në censin e vitit 2011, ka pasur kontestime, nga të gjitha etnitë dhe të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare.
Që atëherë INSTAT është kujdesur që të mbajë një balancë, me qëllim që të mos ketë kontestime në të ardhmen.
Po flas tani si ish-drejtoreshë statistikash, që në tryezën e parë që u bë me komunitete fetare, të gjithë pjesëmarrësit kontestonin rezultatin duke pretenduar që shifra është më e larta. Matematikisht është e pamundur që të gjithë të pretendonin që shifra është më e lartë. Asnjë nuk ishte i kënaqur me shifrat.
Është e rëndësishme që këta tanimë të besojnë tek shifrat. Tani procesi është elektronik dhe të dhënat nuk mund të manipulohen.
Do të ketë shoqërues të anketuesve në zonat që janë më problematike me qëllim që të shuhet çdolloj problematike dhe do të matet popullsia që jeton në vend.
Ndërkohë që kryeministri në fjalën e vet për ligjin që ne kemi për mbrojtjen e minoriteteve, që është një ligj ekselent, që i jep të drejtën e vetëdeklarimit minoriteteve.
Janë të gjithë të konsideruar si qytetar të Shqipërisë dhe si individë të një shteti” tha Ibrahimaj.