Proda: Ulje e kultivimit të kanabisit në 2025-ën, Shkodra me riskun më të lartë

AKTUALITET


Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda deklaroi sot se krahasuar me vitin 2025, për këtë vit regjistrohet ulje e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në territor, ndërsa theksoi se Shkodra mbetet qarku me riskun më të lartë në këtë drejtim.

Në konferencën me Departamentin e Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme të Italisë, për luftën kundër kultivimit të kanabisit gjatë vitit 2025, Proda vlerësoi modelin e suksesshëm të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve italiane.

Ndërsa e cilësoi prioritet strategjik luftën kundër kultivimit të kanabisit, Proda tha se partneriteti me autoritetet italiane ka qenë vendimtar në këtë betejë dhe rezultatet e përbashkëta janë prova më e qartë se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në këtë fushë.

Sipas tij, “kontrolli i territorit dhe përdorimi i teknologjisë ishin faktorë kyç për arritjen e rezultateve pozitive në parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale”.

“Deri më 31 tetor 2025, Policia e Shtetit kreu 217 119 kontrolle në serra, magazina, shtëpi të braktisura, tunele dhe ambiente të hapura. Për vitin 2025, përdorimi i dronëve u rrit në 76 pajisje. Sistemi elektronik GIS-NARKOTIK ofroi të dhëna më të plota dhe raporte analitike për ndjekjen e kultivimit të kanabisit”, bëri të ditur Proda.

Proda theksoi se përgjatë 10-mujorit të këtij viti u siguruan 6917 informacione policore, për kultivimin e bimëve narkotike dhe filluan 104 procedime proaktive.

Po ashtu, sipas tij, një punë e mirë parandaluese u bë dhe në drejtim të goditjes së shitjes së farave të kanabisit, si rezultat i së cilës në 16 raste u sekuestruan 10 798 fara.

“Lufta kundër këtij fenomeni u intensifikua dhe në drejtim të evidentimit dhe goditjes së tentativave për kultivim të kanabisit, me anë të llambave, në ambiente të mbyllura, duke evidentuar dhe shkatërruar 10 ambiente të përgatitura me llamba që shërbenin për kultivim të bimëve narkotike, si dhe 3 ambiente në tentativë për t’i përshtatur për këtë veprimtari kriminale. Për këto raste janë arrestuar dhe proceduar 31 shtetas, mes tyre edhe punonjës të OSHEE-së, për shpërdorim detyre”, shtoi ai.

Proda vlerësoi bashkëpunimin me Guardia di Finanza, që sipas tij, “prej shumë vitesh ka dhënë rezultate shumë pozitive”.

“Gjatë 10-mujorit të vitit 2025 janë evidentuar dhe asgjësuar gjithsej 203 960 bimë kanabisi, nga të cilat 106 894 bimë të evidentuara nga monitorimi ajror dhe 97 066 të evidentuara nga kontrollet e territorit, nga strukturat e Policisë së Shtetit. Qarku i Shkodrës mbetet qarku me risk më të lartë, me 105 591 bimë të asgjësuara. Njëkohësisht, nga strukturat e Policisë së Shtetit janë evidentuar dhe asgjësuar në fazë fillestare, 17 447 fidanë të dyshuar kanabis”, shtoi ai.

Proda bëri të ditur se në 10 muaj janë evidentuar 580 raste kultivimi me 191 shtetas të përfshirë, nga të cilët 106 janë arrestuar, 36 janë ndaluar, 17 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 32 janë shpallur në kërkim.

“Po t’i krahasojmë këto rezultate, me të njëjtën periudhë të vitit 2024, përgjatë 10-mujorit të vitit 2025 kemi ulje me 132 raste kultivimi, 58 317 bimë narkotike më pak dhe 71 873 fidanë më pak. Kemi rritje të procedimeve penale, me 7 autorë kultivimi më shumë dhe 60 punonjës të proceduar për shpërdorim detyre, më shumë”, shtoi ai.

Po ashtu, Proda theksoi se përgjatë këtij viti u proceduan penalisht 163 shtetas për shpërdorim detyre dhe moskallëzim të krimit kryesisht kryetarë fshatrash, administratorë, punonjës të OSHEE-së, inspektorë të pyjeve etj.

Proda siguroi se do të vazhdojnë investimet në teknologji dhe në forcimin e bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti me Policinë italiane dhe me GDF-në që kryen monitorim nga ajri, sepse kjo është rruga e vetme që garanton sukses afatgjatë.



Skip to toolbar