Alibeaj, Braçes: Po i bëni presion drejtësisë

AKTUALITET


Pas daljes në konferencë për shtyp të zëvendëskryeministrit Erion Braçe, që sqaroi akuzat e ngritura nga PD në lidhje me ish-drejtorin e Kadastrës në Durrës, reagoi dhe Selia Blu. Në një dalje për mediat, ish-deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, u shpreh se “qeveria ka frikë të përmendë emrin e bandës”, për të cilën Braçe tha se i “shërben Prokuroria Arjan Ndoja”.

“Sot shqiptarët kanë parë me zë dhe figurë sesa e pafuqishme është qeveria e Edi Ramës për të luftuar me të vërtetë bandat dhe zyrtarët e lidhur me to. Nëpërmjet qëndrimeve burracake të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit, shqiptarët panë sot një qeveri që ka frikë t’i përmendë emrin një bande për llogari të së cilës, si Edi Rama dhe Erjon Braçe denoncuan se punon prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja. Dhe ju e dini fare mirë se cili ka qenë qëndrimi i Partisë Demokratike në kohë për prokurorin në fjalë. Ajo që presin sot qytetarët shqiptarë nuk është a ka Erjon Braçe lidhje gjaku me drejtorin e arrestuar të Kadastrës. Kjo nuk ka pikë rëndësie për çështjen në fjalë”, tha Alibeaj.


Më tej, ai shtoi se deklaratat e Kryeministrit dhe nënkryeministrit, janë “presion ndaj drejtësisë”, për të “mbrojtur” një zyrtar që akuzohet për shpërdorim detyre.  “Dje dhe sot, Erjon Braçe, bashkë me Edi Ramën, i bënë presion drejtësisë në sallën e gjyqit për të mbrojtur një zyrtar të emëruar nga vetë ata dhe që akuzohet për shpërdorim detyre nga një prokuror, që është në shërbim të bandave të Durrësit- citoj kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin e vendit. Ajo që prisnin sot shqiptarët nuk ishte refreni i propagandës bajate se “fajin e ka opozita”. Shqiptarët prisnin sot, që Edi Rama të bënte kryeministrin dhe të kërkonte arrestimin e prokurorit që i shërben bandave, si dhe nxjerrjen para drejtësisë të këtyre bandave, të cilat ai i njohka, por nuk ua përmend emrin”. 

Në fund, PD ngriti dhe disa pyetje drejtuar zyrtarëve të lartë të qeverisë, duke u shprehur se nëse “Arjan Ndoja punon për bandat, pse nuk arrestohet”. “Është urgjente që Edi Rama të përgjigjet për disa pyetje që sot ia bën çdo shqiptar. 1.Cilës bande të Durrësit i shërben prokurori Arjan Ndoja? 2. Prej sa kohësh Edi Rama është në dijeni të faktit që Arjan Ndoja punon për bandat dhe jo për shtetin?  3.Pse heshti Edi Rama dhe Erjon Braçe deri më sot dhe nuk dolën përpara se të arrestohej njeriu i tyre në Kadastrën e Durrësit? 4.Pse nuk e arreston prokurorin që i shërben bandës dhe bandën që mbështet prokurorin?”, tha ndër të tjera Alibeaj.




Skip to toolbar