Propozimi i presidentit amerikan Donald Trump për të zhvendosur palestinezët nga Rripi i Gazës dhe për ta vendosur territorin nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara ka nxitur reagime të shumta.
Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Ledjon Krisafi tha në emisionin “Real Story” se me këtë plan të SHBA, do të bëhej një spastrim etnik në Gaza.
“Trump ka marrë një ide që vjen nga qarqet më ekstremistë izeraelite. E ka bashkuar me një ide komerciale të dhëndrit të tij për ta shndërruar Gazën në një lloj Monakoje. Në teori duket plan fantastiko-shkencor, por edhe vetë brenda Izraelit, duke parë mediat kishin entuziazëm se kishin dëgjuar fjalë të paimagjinueshme nga Trump por të paqartë për detaje. Si mund të heqësh nga toka e tyre njerëz që në rradhë të parë nuk duan të ikin. Si mund të heqësh Hamasin që edhe vetë me dëshirë nuk dëshiron të ikë. Kthehemi në një lloj pastrimi etnik që po bën vetë SHBA nëse shkon në këtë ide në terren.
Plani, që mund të jetë edhe një nga arsyet pse Netanyahu pranoi armëpushimin, me siguri ka qenë kjo ide. Izraeli me siguri do të presë lirimin e pengjeve, do të fillojë përsëri luftën kundër Hamasit në Gaza dhe në emër të mbrojtjes të popullsisë civile do të detyrohet ndoshta edhe me trupa amerikane për të dëbuar të gjithë palestinezët. Ka vetëm një fije llogjike me atë që thotë Trump sepse nga Gaza kanë ikur 200 mijë palestinezë. E dyta, edhe Gaza sikur rindërtohet nga fillimi, ata 2.2 milionë njerëz nuk jetojnë dot një jetë normale në 365 km katrorë. Jordania ka 40 përqind të popullsisë palestineze sot, është një gjysëm shtet palestinez dhe nuk është çudi që të shkojnë edhe 500 mijë të tjerë.
Trump dhe amerikanët mendojnë se kanë një kartë në dorë. Jordania dhe Egjipti mbahen në këmbë nga amerikanët si financiarisht si ushtarakisht. Kanë mundësi t’i shantazhojnë. E dyta, ky është fillimi i fundit i idesë të shtetit palestinez. Unë mendoj se javët në vijim, Trump do të dalë dhe të thotë se Izraeli ka të drejtë të aneksojë Bregun Perëndimor dhe këtu, bashkë me planin për Gazën dhe aneksimin e Bregut Perëndimor, merr fund ideja e një shteti të dytë palestinez në atë zonë.”, tha ai.