Prostitucion në qendrën e masazheve në Tiranë, drejtohej nga një 19-vjeçar

AKTUALITET


Policia e Tiranës ka bërë të ditur se ka zbuluar se në një qendër masazhesh në kryeqytet kryhej aktiviteti i paligjshëm i prostitucionit.

Për këtë rast, policia ka shpallur në kërkim 19-vjeçarin me iniciale M. M., i cili dyshohet të jetë administrator i qendrës, ndërsa janë vënë në pranga shtetaset M. K., 26 vjeçe, (menaxherja) A. B., 19 vjeçe, (punonjëse), si dhe janë proceduar 3 persona të tjerë.


“Kishte përshtatur një qendër masazhesh, për veprimtarinë e kundërligjshme të prostitucionit, shpallet në kërkim 19-vjeçari.

Vihet në pranga menaxherja e qendrës së masazheve së bashku me një punonjëse, procedohen penalisht 3 shtetas të tjerë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Fusion”.

Si rezultat i tij:

u arrestuan në flagrancë shtetaset M. K., 26 vjeçe, (menaxherja) A. B., 19 vjeçe, (punonjëse).

u proceduan në gjendje të lirë shtetaset R. S., 28 vjeçe dhe K. K., 19 vjeçe, punonjëse në qendrën e masazheve, dhe shtetasi D. O., 49 vjeç, banues në Tiranë;

u shpall në kërkim shtetasi  M. M., 19 vjeç.

Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se, shtetasi M. M., administronte një qendër masazhesh, në rrugën “Nikolla Jorgo”, me menaxhere shtetasen M. K., dhe përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia.




Skip to toolbar