Protesta e Gjykatave/ Nuk zhvillohen seanca, protestë e heshtur pas vrasjes së gjyqtarit

AKTUALITET


Në shenjë tronditjeje, solidariteti dhe proteste, shumë institucione të drejtësisë në të gjithë Shqipërinë kanë vendosur të pezullojnë seancat gjyqësore, duke zhvilluar vetëm ato me karakter urgjent.

Në gjykatën e shkallës së parë të Fierit, flamujt u ulën në gjysmështizë.

Në Fier, ku vetëm këtë të martë ishin planifikuar 85 seanca gjyqësore, janë zhvilluar dy prej tyre.

Prej mëngjesit të së martës, dyert e gjyqësorit  në Vlorë qëndrojnë të mbyllura.

Vendimi për pezullimin u mor pas ekzekutimit në sallë të gjyqtarit të karrierës, Astrit Kalaja, ndërsa vendimi do të mbetet në fuqi deri më datë 10 tetor.

Në shenjë solidariteti, vetë gjyqtarët kanë vendosur të ndërpresin seancat gjyqësore.

Në një reagim zyrtar, ky institucion vë theksin tek nevoja urgjente për të garantuar sigurinë, dinjitetin dhe mbrojtjen e çdo gjyqtari në ushtrimin e detyrës.

Në Sarandë, gjithashtu, janë pezulluar të gjitha proceset gjyqësore për këtë të martë.

Në Gjirokastër dhe Elbasan, vendimi për ndërprerjen e seancave do të qëndrojë në fuqi deri të mërkurën, ku përjashtim bëjnë masat e sigurimit që zhvillohen sipas afateve ligjore.

Në Lezhë, gjykata ka vendosur që të mos zhvillojë asnjë seancë gjatë kësaj të marte, përveç atyre me karakter urgjent penal ose civil.

Në Shkodër, megjithëse mungon një vendim i unifikuar, shumë gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë kanë refuzuar të paraqiten në sallat e gjyqit, në shenjë respekti dhe dhimbjeje për kolegun e tyre të ndjerë.

Në korridoret e drejtësisë sot mbizotëron një heshtje, që flet më shumë se çdo reagim institucional, për tronditjen e thellë që ka përfshirë sistemin gjyqësor pas ekzekutimit në krye të detyrës të gjyqtarit të karrierës, Astrit Kalaja.



Skip to toolbar