Sali Berisha ka thirrur këtë të shtunë, në protestën e radhës, militantët në shesh. Mbi një mijë efektivë të Policisë së Shtetit, do të jenë në gatishmëri për sa i përket protestës së thirrur nga Partia Demokratike, për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike. Mësohet se opozita ka marrë lejë në policinë e shtetit për 3 orë, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 para Kryeministrisë.
Në gatishmëri do të jenë edhe forcat e ndërhyrjes së shpejt dhe repartet e “Shqiponjave”. Në rast të incidenteve që mund të shkaktohen nga militantët e opozitës, disa autobotë me ujë do të qëndrojnë të pozicionuar pranë piramidës, për shpërndarjen e turmave.
Ndërkohë dyert e kryeministrisë që prej mbrëmjes të së premtes janë veshur me metal, për të parandaluar thyerjen e xhamave apo dyerve kryesore. Në të gjitha shtyllat dhe në Bulevardin e Dëshmorët e Kombit, janë vendosur kamera sigurie me rezolucion të lartë, ku do të monitorohen të gjithë personat që kryejnë akte dhune. Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore, si rrugët pranë godinës së bashkisë së Tiranës.