Protesta sot kundër sistemit të gabuar

AKTUALITET


Të hënën Lulzim Basha me shumë mundësi në fjalimin që do të mbajë para protestuesve, mes entuziazmit për fitoren e 30 qershorit, do të kërkojë ndryshimin e sistemit, Kushtetutës, Kodit Zgjedhor, etj., etj. Mos u habisni kur ta dëgjoni me shumë patos dhe forcë, me një timbër zëri që do tentojë të krijojë hipnozë ndaj protestuesve për të thënë se “fajin e ka sistemi”, dhe pa ikur Rama nuk ndryshon sistemi. Në krahun tjetër, ende e pakonfirmuar, por nga që ka marrë frenat e organizimit të protestës në dorë, edhe Monika Kryemadhi mund të dalë në podium para qytetarëve për të folur, ku ndër fjalë do të shqiptojë edhe “t`i japim fund tranzicionit, të ndryshojmë sistemin”. Këto nuk janë shpikje, janë fjalë që Basha dhe Kryemadhi i kanë artikuluar vazhdimisht gjatë protestave të tyre.

Ndaj, ky ligjërim publik për ‘ndryshim sistemi’ kërkon vëmendje. A është halli te sistemi? A është problem Kushtetuta, Kodi Zgjedhor, apo çfarë? PD dhe LSI nuk e kanë këtë hall, e kanë provuar në mijëra mënyra prej 1990 këtë gjë, dhe sot nuk është nevoja të na risjellin si risi të artikulimit politik togfjalëshin “Ndryshim Sistemi”. Pse, cilin sistem do ndryshojmë? A është ky sistem i ndryshuar me dhjetra herë, Kushtetuta në 2008, Kodi Zgjedhor në disa raste.


A është ky sistemi i 17 majit 2017, kur Basha thirri po fitore, pasi ashpërsoi Kodin Penal për krimet elektorale?. A është ky sistem që u ndryshua pas kohës së  Klanit të Zemunit, Dushkut, Ruzhdies, Tiranës në 2011?! Po, ky sistem është ndryshuar disa herë, janë provuar të gjitha format, janë ndryshuar dhe njerëzit brenda sistemit, është ndryshuar gjithçka, vetëm dy gjëra nuk janë ndryshuar në 19 vjet. Politikanët dhe ai që do duhet të ishte sistemi bazë i funksionimit të shtetit që në gjenezën e tij, Drejtësia.

Por le ta nisim nga fundi. Tani që në fakt Sistemi i Drejtësisë po ndryshon, dhe politikanëve të korruptuar u mblidhet laku pas qafe, kërkohet ndryshim i sistemit, kërkohet kompromis, kërkohet ndryshim përsëri i Kushtetuës, ndryshim i Kodit Zgjedhor (pavarësisht të metave që ka, është i vlerësuar nga partnerët ndërkombëtar), kërkohet pra një ndryshim sistemi, jo për të mirën e shqiptarëve, për hallin e politikanëve.

Dhe kërkohet një kompromis në kurriz të shqiptarëve, ashtu siç ka ndodhur në gati tre dekada pluralizëm, kriza fiktive dhe më pas zgjidhje për interesa partiake, e kanë dëshmuar Meta, Berisha, Basha, Monika, Rama dhe të gjithë bashkë kanë qenë pjesë e sistemit dhe ndryshimit të tij sa herë u është nevojitur. Por, tani ka një ngërç të madh, Rama për fatin e tij është në qeveri, dhe nxiti reformimin e gjyqësorit, që u mbështet nga faktori ndërkombëtar.

Dhe ndërkombëtarët e kuptuan rëndësinë e kësaj reforme, aq sa tashmë e kanë shndërruar në krye të listës së prioriteteve të tyre, zbatimin e saj. Dhe në fakt, dashur pa dashur, ndryshimi i Sistemit të Drejtëisë, i vë fre abuzimit me pushtetin, i vë fre asaj që ish-demokrati i Kukësit, Ibsen Elezi e quan “infektim të sistemit nga korrupsioni që mbolli administrata e LSI”. Dhe në këtë mënyrë, frika është tjetër kund, t`i shpëtojmë drejtësisë në kurris të shqiptarëve.

Mirëpo, tani, pas ndryshimit të Sistemit të Drejtësisë, ka ardhur koha, më sakt fundi i një sistemi politikanësh, që abuzimin, vjedhjen, korrupsionin dhe shkatërrimin e demokracisë, e shndërruan në mjet të mbijetesës në llumin që krijuan vetë. Ujërat tashmë po qartësohen, Shqipëria e ka rrugë pa kthim integrimin në Europë, dhe ashtu si çdo vend tjetër i Ballkanit (që ka fituar anëtarësimin), pavarësisht vonesës, edhe vendi ynë nuk mund të ketë rrugë tjetër, që nis me fundin e një sistemi politikanësh, që pushtetin e kanë parë si pronë të patjetërsueshme.

Pra, si përfundim, tani do të ketë një sistem që do të kontrollojë një sitem të pakontrollueshëm deri tani. Drejtësia do të jetë ajo që do t`i vërë fre 14% të Kukësit, Dibrës, Durrësit e kudo tjetër, pasi fakti është se votat nuk i vjedh as Kodi Zgjedhor dhe as Kodi Penal, madje as politikanët, por deri më sot, votat i ka vjedhur mungesa e drejtësisë. Ndaj, halli i vetëm është një, “Drejtësia”, sistemi që do të fundos sistemin e preferuar të politikës, pandëshkueshmërinë!/Realstory.al/




Skip to toolbar