Pse Kroacia nuk aplikon vinjetat?

BOTA


Hyrja në Shengen nuk i ka hequr menjëherë në tërësi radhët në kufijtë kroatë. Tani po krijohen radhë të gjata jo në kufi por përpara kabinave të pagesës për kalim në autostrada. Sepse, në Kroaci, vetëm një numër i vogël përdorin tarifën elektronike (ENC), ku në binar mjafton të ngadalësosh pak shpejtësinë në mënyrë që skaneri të lexojë pajisjen e vogël në makinë dhe të “shkarkojë” pagesën e tarifës. Ndaj kalimi është më i shpejtë.

Kur ministri i Transportit Oleg Butkoviq njoftoi muajin e kaluar se do të hiqen pagesat e tarifave në vitin 2024, u hap sërish një debat i vjetër. Në një vend ku tarifat konsiderohen si tepër të larta, shumë shoferë vendas shpresonin në futjen e vinjetave – të cilat sot mund të lëshohen edhe në mënyrë elektronike dhe nuk duhet të ngjiten në dritare. Përderisa vinjetat në Slloveni, Hungari dhe Austri kushtojnë mes 96 deri 118 euro, kroatët nga Zagrebi duhet të paguajnë fatura për përdorimin e rrugëve deri në 96 euro nëse dy herë shkojnë deri në Split apo tre herë në Osijek.


Kalimi kufitar Kroaci-Slloveni në Rupa-Jelane

Qeveria kroate megjithatë nuk po planifikon futjen e një vinjete, por të një ENC. Detajet ende nuk dihen, por supozohet se do të ketë një zbritje të caktuar “volumi” – kush vozitë më shumë paguan pak më pak.

Ekziston ende shqetësimi në publik se shoferët kroatë mund të jenë në disavantazh në krahasim me fqinjët e tyre të BE-së. Modeli kroat do të jetë i ngjashëm me atë të Italisë, ku gjithashtu nuk ka vinjeta, por paguhet përdorimi i autostradave. Në këtë mënyrë planifikohen edhe fitime të mëdha në kohën e turizmit, kur njerëzit paguajnë pa problem, vetëm për të mos pritur tepër në rrugë.

Rrugët e ngushta

Zheljko Marushiq nga Fakulteti i Komunikacionit në Zagreb thotë se sistemi ENC ende u jep një zbritje të caktuar shoferëve të rregullt. Në të ardhmen, shton ai për DW, duhet të jetë e vlefshme që kush paguan më shpesh duhet të ketë një zbritje prej të paktën 20 për qind në krahasim me njerëzit që paguajnë për udhëtime individuale.

Radhë të gjata pritjeje në trafik për kalimin e kufirit në pikën Macelj mes Kroacisë dhe Sllovenisë

“Problemi më i madh në autostradat e Kroacisë është se bllokimet shpesh ndodhin për shkak të infrastrukturës dhe rrugëve të ngushta, e jo për shkak të tarifave apo kufijve. Duke futur vetëm pagesën elektronike, në verën e vitit të ardhshëm do të zvogëlohet problemi. Por megjithatë mbetet problemi i rrugëve, ndaj ato duhet të zgjerohen në disa vende, thotë ky profesor nga Zagrebi.

Në një vend që jeton kryesisht nga turizmi, rreth 85 për qind e turistëve hyjnë përmes rrugëve tokësore. Për shumë prej tyre, tollovitë në rrugë janë edhe një sprovë për nerva dhe shkaktojnë zemërime të shumta.

Goran Rihelj, redaktor i portalit HrTurizam, kujton se një person në një kabinë për pagesa mund të bëjë pagesat për rreth dyqind automjete në orë. Ndërsa me pagesat elektronike mund të kalojnë deri në tre mijë automjete në orë. Kjo mënyrë e pagesës mund të zvoglojë radhët në rrugë dhe të përshpejtojë kalimin e njerëzve, thonë ekspertët./dw




Skip to toolbar