Punimet për transformimin e Qendrës së Kinostudios, Veliaj: Do t’i sjellë një super-vlerë zonës

AKTUALITET


Punimet për rikualifikimin e Qendrës së Kinostudios, për t’u transformuar në polin e ri urban të Tiranës, po vijojnë me ritme të shpejta. Projekti, i cili është i ndarë mes Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës, ka krijuar disa parqe urbane që nuk kanë qenë më para të cilat do të sjellin aktivitete kulturore për ekspozita, për filma dhe instalacione të ndryshme në zonën e Kinostudios.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pa nga afër punimet tha se është një transformim i jashtëzakonshëm dhe se do t’i sjellë një super-vlerë zonës.


“Jam i sigurt që banorët mezi e kanë pritur shtrimin e kësaj pjesës, të lirohet qarkullimi dhe pastaj të punojmë te rrethrrotullimi i Kinostudios, ku bashkohet ‘Aleksandër Moisiu’ me ‘Xhanfize Kekon’. Projekti do ta kthejë vërtet këtë park në një park arti dhe sigurisht, do t’i sjellë një super vlerë zonës”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se përveç qendrës së Tiranës, vihet re një shtim i ndjeshëm i numrit të turistëve edhe në zonat periferike. “Në Kinostudio po vijnë gjithmonë e më shumë turistë. Turistët nga qendra e Tiranës po vijnë të shohin kinema edhe te Marubi, të shohin edhe Muzeun e Armëve, por do të vijnë edhe për instalacionet që do të kemi këtu. Kemi parë që, aty ku kemi projekte të artit dhe të kulturës, siç ka qenë kinemaja “Maks Velo” në Laprakë, fillon bubërron gjithë lagjia, se fillojnë eventet siç po ndodh sot tek Kinema Agimi. Rikthimi i këtij institucioni të artit në duar të bashkisë dhe gjallërimi me jetë, ka prodhuar një sërë aktivitetesh të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.

Ai shtoi se sa herë Bashkia bën investime të tilla rritet edhe vlera e pronës. Veliaj bëri të ditur se shumë shpejt do të shpërndahet loti i dytë i banesave të reja për të prekurit nga tërmeti.

“Po të shikosh numrin e shtëpive që po shiten dhe sa të huaj po blejnë shtëpi dhe sa po rritet vlera sa herë që bashkia bën investime të tilla, besoj që është vetëm çështje kohe sa ta shohim tamam në Kinostudio. Sigurisht, Njësia 4 është një njësi e shtrirë, pra fillon edhe këtu në Kinostudio, ku ndahet me 3-shin dhe mbaron te Bregu i Lumit, ku prapë lagjia e re do të ketë shumë shpejt lotin e shtëpive që do të shpërndahen. Ne do duhet që të caktojmë bashkë me njësinë administrative një datë që të hedhim shortin, ku fëmijët e secilës familje, atë që është taksur për ta, ta zgjedhin vetë me short, ku do e kenë apartamentin e tyre””, nënvizoi ai.

Në fund, kryebashkiaku kërkoi bashkëpunim për çështjen e shpronësimeve, nga ata qytetarë të cilët kanë ndërtuar pa leje dhe shtoi se nga bashkëpunimi përfitojnë edhe vetë ata që kanë bërë shtesa.

‘‘Për të gjithë ata që kanë bërë ndërtime të vogla pa leje, ju lutem bashkëpunim. Ne sigurisht që po i bëjmë gjithë proceduarat e shpronësimit, por për çdo lloj çibani letrat për shpronësim bëhen njësoj, si për një magazinë të madhe, vilë të madhe ose për një pallat të madh. Kjo do të thotë që volumi burokratik i letrave është i jashtëzakonshëm për të mbërritur tek e njëjta finale, lirimi i territorit. Ftesa dhe për çibanët e fundit që kanë ngelur në rrethrrotullimin e Kinostudios, është bashkëpunim, bashkëpunim, bashkëpunim”, përfundoi Veliaj.




Skip to toolbar