Putin i jep Bjellorusisë 1.5 miliardë dollarë në shenjë mbështetjeje

AKTUALITET


Presidenti rus Vladimir Putin i dha një hua prej 1.5 miliardë dollarësh të hënën Bjellorusisë në shenjë mbështetjeje për udhëheqësin e saj të kërcënuar, Alexander Lukashenko, pas disa javë demonstrimesh në rrugët e Minskut nga protestues që e kanë akuzuar atë për manipulim të zgjedhjeve të muajit të kaluar për të mbajtur pushtetin.

Të dy udhëheqësit u takuan në vendpushimin rus të Soçit në Detin e Zi për për gati katër orë. Putini dha disa detaje në lidhje me huanë, megjithëse Kremlini më vonë tha se disa nga fondet e reja do të përdoren për të rifinancuar huatë e mëparshme. Rusia gjithashtu tha se të dy presidentët kishin rënë dakord për të rritur bashkëpunimin tregtar dhe diskutuan furnizimet e energjisë.


Lukashenko shprehu mirënjohjen e tij për huanë e re.

“Së pari, dua t’ju falënderoj … personalisht ju falënderoj ju dhe të gjithë rusët, të gjithë ata që, nuk do t’i rendis, por që ishin të përfshirë në mbështetjen tonë gjatë kësaj kohe pas zgjedhjeve,” tha ai.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov deklaroi se Lukashenko “është presidenti legjitim i Bjellorusisë”.

Përsa i përket protestave, Putini tha, “Ne duam që vetë bjellorusët, pa nxitje dhe presion nga jashtë, ta zgjidhin këtë situatë në një mënyrë të qetë dhe përmes dialogut dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.”

Putini tha se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes midis Rusisë dhe Bjellorusisë do të vazhdojë. Agjencitë ruse të lajmeve njoftuan se Moska po dërgonte parashutistë në Bjellorusi për manovrat e përbashkëta “Vëllazëria Sllave”.

Autoritetet bjelloruse kanë shtypur protestat, duke arrestuar 774 persona të dielën nga rreth 100,000 që marshuan dhe hodhën parrulla kundër Lukashenkos.

Ky i fundit ka mohuar manipulimin e zgjedhjeve të 9 gushtit kundër kandidates së opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila ka shkuar në Lituani. Tsikhanouskaya, në mediat sociale, kritikoi dhënien e kredisë ruse për Bjellorusinë.

“Të dashur rusë! Taksat tuaja do të paguajnë për rrahjet tona”, tha ajo.

“Ne jemi të sigurt se ju nuk do ta donit një gjë të tillë. Kjo mund të vonojë vdekjen e Lukashenkos, por nuk mund të parandalojë fitoren e njerëzve.”

Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut thotë se do të zhvillojë një debat urgjent mbi dhunën në Bjellorusi.

Në protestat e së dielës, turmat marshuan në Minsk drejt një zone të ndërtesave qeveritare, duke brohoritur, “Rroftë Bjellorusia” dhe “Ti je një mi”, një tallje e zakonshme për Lukashenkon.

Duke qëndruar pa lëvizur, ata brohorisnin “fashistë” ndërsa qindra policë me mburoja bllokuan rrugët.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax raportoi se u qëlluan të shtëna në ajër për t’i mbajtur protestuesit larg një zone të Minskut ku jeton udhëheqja e Bjellorusisë. VOA




Skip to toolbar