“Putini do t’i vërë flakën Europës”, Rusia kërcënon Amerikën: Mos sillni armë bërthamore!

BOTA


Alarm maksimal në Europë për zjarre të qëllimshme nga dora e Rusisë. Shërbimet e sigurisë janë në gatishmëri për t’u ballafaquar me armën e re të luftës së Putinit për operacionit e tij të sabotazhit në vendet Baltike, Gjermani dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Kështu raporton The Guardian. Madje mendohet se aksione të tilla kanë ndodhur tashmë në Vilnuis dhe në Londër. Ky raportim vjen në një kohë, kur Rusia paralajmëron se ka gati një plan bërthamor kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë e konfirmoi ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov, duke folur për mediat në Moskë.


Ai thotë se Rusia do të vendosë masa në terren për frenimin bërthamor nëse Amerika do të zhvendosë raketat e saj në Europë apo në rajonin e Indo-Paqësorit. “Presidenti Putin do të marrë një vendim për këtë temë”, nënvizon Lavrov, shteti i të cilit ka braktisur në mënyrë të njëanshme moratoriumin për lëvizjen e raketave me rreze të mesme. Një vendosje të mundshme të armëve bërthamore Amerikane në Europë, ministri e konsideroi një kërcënim për Rusinë.

Lavrov foli edhe mundësinë e paqes në Ukrainë, duke sinjalizuar se një zgjidhje politike për konfliktin është e mundur, por vetëm nëse Perëndimi ndalon së dërguari armë në Kiev. Në kundërpërgjigje, kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmon se Ukraina ka të drejtë të sulmojë objektiva brenda territorit të Rusisë.

“E drejta e vetëmbrojtjes është e shkruar në kartën e Kombeve të Bashkuara”, thekson lideri i aleancës së fuqishme ushtarake. Stoltenberg shton se “në luftë nuk ka vendime që nuk sjellin rreziqe, por kërcënimi më i madh nga të gjithë është që Putin të fitojë në Ukrainë”.

Suedia, vendi më i fundit që iu bashkua NATO-s, po dërgon në Kiev dy avionë të survejimit dhe kontrollit që ndihmojnë në identifikimin e shënjestrave në distancë të largët. Sakaq, situata e vështirë në terren po vazhdon për trupat e Zelenskit. Sulme ruse janë raportuar në disa rajone, përfshirë Kharkivin e synuar në javët e fundit. Ushtria e Putinit pretendon se ukrainasit po humbasin deri në 190 trupa në ditë.




Skip to toolbar