Qendra Tumo, Veliaj: Ia ka vlejtur çdo energji për investimin! Kim: E frymëzuar nga të rinjtë

AKTUALITET


Programi “Tumo Tirana” ka zgjuar çdo ditë e më shumë interesin e të rinjve në kryeqytet. Qendra, e cila një vit më pare, kur u çel në Tiranë, kishte vetëm 60 studentë, sot ka mbi 1 mijë të tillë. Në 1-vjetorin e këtij programi, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim dhe Drejtori i Fondacionit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan, Michael Granoff, zhvilluan një takim me fëmijët dhe të rinjtë që aftësohen në qendrën Tumo.

Teksa vlerësoi punën e bërë gjatë këtij viti, Veliaj e cilësoi qendrën e teknologjisë si një investim me vlerë për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve.

“Përgjegjësia jonë sot është të projektojmë Tiranën e vitit 2050 dhe Tirana në vitin 2050 do të jetë si kjo sallë: Fytyra juaj do të jetë fytyra e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë,” tha Veliaj. Ai u shpreh i entuziazmuar për faktin se në një vit, qendra Tumo është zgjeruar shumë. “Kur e filluam, ishim shumë të vetmuar. Me dy drejtuesit e AADF-së në Tiranë dhe Majkëlli, i cili për shkak të pandemisë na ndiqte në distancë, na duhej më shumë ta besonim se sa të shihnim sepse s’kishte asgjë për të parë, në njëfarë mënyre vumë një bast dhe basti që vumë është investimi që kemi sot, që ia vlen. Ia ka vlejtur çdo qindarkë, çdo minutë, çdo sekondë dhe çdo energji që kemi shpenzuar për këtë projekt,” u shpreh Veliaj.

Ambasadorja Yuri Kim u shpreh e frymëzuar nga talenti i të rinjve të qendrës Tumo dhe projekteve të tyre, duke i motivuar që të ecin me idetë dhe përpjekjet e tyre në fushën e inovacionit.

“Nëse do të isha në moshën tuaj, do të doja të isha shoqja juaj. Por, edhe në moshën që kam sot, sërish do të doja të isha pjesë e shoqërisë suaj, pasi dua të jem si ju! Nëse gjatë punës tuaj do keni momente kur nuk do ia dilni, apo do bëni diçka të gabuar, duhet ta dini se dështimi është një hap larg suksesit. Mendoni më shumë, përtej ambientit tuaj, përtej Tiranës, përtej Shqipërisë! Ju nuk jeni thjesht disa të rinj të këtij qyteti, apo të këtij vendi. Ju do të jeni një shkëndijë për botën, ndaj dua të them se jam shumë krenare për ju,” u shpreh ajo.

Në mesazhin e tij, Drejtori i Fondacionit për Zhvillim Shqiptaro-Amerikan, Michael Granoff, i cili është ëshë mbështetësi kryesor i TUMOs në Tiranë, tha se teknologjia dhe zhvillimi është çelësi kyç për të ecur përpara. “Nëse duam të dimë si duket e ardhmja e vendit, ajo duket si të gjithë ju. Ju jeni një komunitet që do ta bëni këtë realitet. Natyra e atyre gjërave që bëni këtu, ndodhin kudo nëpër botë. Nëse ju doni të jeni pjesë e botës dhe pjesa tjetër e botës dëshiron të jetë si ju, teknologjia është një prej çelësave kyç për të ecur përpara”, tha Granoff.

Tumo Tirana është një qendër edukative, e themeluar nga Fondacioni Amerikano-Shqiptar i Zhvillimit, në partneritet me Bashkinë e Tiranës, që u ofron të rinjve të moshës 12-18 vjeç mundësi unike për të zbuluar risi teknologjike, artistike dhe sipërmarrëse. Mbi një mijë studentë ndjekin seminaret në TUMO çdo javë në robotikë, informatikë, lojëra kompjuterike, dizajn grafik, muzikë dhe filma. Gjatë aktivitetit për 1-vjetorin e qendrës, të rinjtë ekspozuan projektet e tyre, si dhe ndanë përvojat e tyre në TUMO, pasionin e tyre për teknologjinë, synimet për të ardhmen dhe dashurinë për komunitetet e tyre.



Skip to toolbar