Qeveria e re në Itali, “Conte 2” drejt betimit në presidencë

AKTUALITET


Giuseppe Conte pasi mori mbështetjen për të krijuar një kabinet të dytë qeveritar pritet të shkojë pasditen e së mërkurës në Presidencë ku do të bëjë betimin për drejtimin e qeverisë së re.

Në Palazzo Chigi, drejtuesit e ‘Lëvizjes 5 Yjet’ dhe Partisë Demokratike, i dhanë dorën e fundit marrëveshjes politike për krijimin e koalicionit të ri qeveritar që i jep fund krizës politike në Itali, me krijimin e një qeverie të drejtuar sërish nga Conte.


Mediat italiane raportojnë se në kabinetin ‘Conte 2’, Partia Demokratike dhe ‘Lëvizja 5 Yjet’ do të kenë numër pothuajse të barabartë të ministrave, pavarësisht se PD ka 104 deputetë dhe 51 senatorë kurse 5 Yjet, 216 deputetë dhe 107 senatorë.

Ekuilibrat e brishtë mesa duket për momentin janë forcuar me dakordësinë për postin e Ministrit të Jashtëm, i cili do t’i takojë Luigi di Maio-s.

Tani objektivi për Giuseppe Conte, është të ngjisë të mërkurën pasdite shkallët e pallatit presidencial për të bërë betimin e tij dhe qeverisë që ai do të drejtojë.

Vetëm pak javë më herët Giuseppe Conte dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit gjatë një fjalimi të mbajtur në parlament ndërsa hodhi akuza ndaj ministrit të Brendshëm Mateo Salvini. Presidenti Matarrella i dha afat partive politike që të arrijnë një kompromis në mënyrë që të shmangeshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Pas shumë negociatave u arrit një marrëveshje dhe Conte pranoi të drejtonte një kabinet të dytë qeveritar, ndërsa kushti ishte që Salvini të mbetej jashtë qeverisë.




Skip to toolbar