Qeveria u heq kontrollet tatimore bizneseve të prekura nga tërmeti

AKTUALITET


Bizneset që kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit në Tiranë, Durrës dhe Lezhë do të lehtësohen nga barra fiskale. Ky është vendimi i marrë nga qeveria, që parashikon pezullimin e çdo kontrolli apo verifikimi nga tatimet përgjatë periudhës së rindërtimit. Gjithashtu bizneset e prekura nga tërmeti që kanë vonesa në deklarime nuk do të gjobiten. Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera.

 “Nëse do të ketë deklarime të vonuara nga biznesi gjobat do të hiqen e dyta për të tërë bizneset që ndodhet në zonat e ndërtuara do të pezullohet çdo kontroll apo verifikim e treta nëse do të ketë probleme për pagesën e detyrimeve tatimore MF ka udhëzuar këto biznese të deklarojnë nëse kanë aktivitet në këto periudha edhe nëse deklarojnë me vonesë thash që gjobat nuk do të aplikohen dhe nëse kanë probleme me aftësinë paguese ato kanë të drejtën e tyre dhe administrata tatimore është e detyruar të shtyjë pagesat në kohë pra ne kemi një nen për pagesën e pagimit me këste dhe në çdo tatimpagues duke analizuar rast pas rasti problematikën e tyre ne mund të shtyjmë deri në 2 vjet pagesën e tatimeve”, tha Lera në një intervistë për “News 24”.

Gjithashtu, si masë lehtësuese do të konsiderohet edhe njohja si shpenzime të zbritshme të donacioneve që jepen për qëllim rindërtimin si dhe përjashtimet nga taksa e infrastrukturës për ndërtimin dhe TVSH-ja për të gjitha mallrat, shërbimet dhe kompanitë e ndërtimit që do të autorizohen për zbatimin e projektit të riparimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti.

“Ministria e Financave ka iniciuar një sërë aktesh normative siç është ai i njohjes së shpenzimeve të zbritshme për rastet e donacioneve për fatkeqësisë apo aktet e tjera normative apo ndryshime e tjera ligjore që kemi paraqitur në kuvend. Por ndryshimi më madhor që kemi paraqitur është përjashtimi nga TVSH të gjithë procesit të rindërtimit. Taksa e infrastrukturës për ndërtimet e reja është zero pra TVSH është zero ose e thënë me gjuhën e ligjit e përjashtuar dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë do të jetë zero”, – deklaroi Niko Lera.



Skip to toolbar