Rama drejt Londrës, takim me homologun britanik Sunak, çfarë pritet të diskutohet

Më të fundit


Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë të mërkurën për në Londër, ndërsa një ditë më pas do të ketë edhe një takim me homologun britanik, Rishi Sunak, me të cilin do të zhvillojë edhe një konferencë për mediat. Gjithashtu Rama do të ketë takime edhe me kryetarin e Parlamentit britanik dhe Sekretarin e Jashtëm, si edhe me zyrtarë lokalë.

Vizita vjen në një kohë kur Britania e Madhe po mendon të miratojë një ligj që synon të frenojë emigrantët e paligjshëm drejt ishullit, ku një numër të konsiderueshëm e përbëjnë të rinjtë shqiptarë.


Administrata Sunak, u ka shpallur luftë prej disa kohësh emigrantëve nga vendi ynë, të cilët i lidh me krimin e organizuar në Britaninë e Madhe. Sipas të dhënave, 12 301 emigrantë shqiptarë, kryesisht meshkuj të rinj, kanë hyrë ilegalisht në vend në 2022, numri më i lartë i rreth 45 mijë shtetasve që kanë kaluar gjithsej kanalin vitin e kaluar.

Gjatë prezantimit të projektligjit në Parlament, Sunak tha se është i gatshëm për luftë, për të mundësuar miratimin e tij. Masa e re, parashikon që çdokush i cili do të hyjë në vend në mënyrë të paligjshme, jo vetëm që nuk do të ketë të drejtë të kërkojë azil, por edhe do të ndalohet të rikthehet në vend, apo të pretendojë për shtetësinë britanike në të ardhmen.

“Ata që kalojnë ilegalisht kanalin e La Manshit nuk po largohen në mënyrë direkte nga një shtet në luftë, përndjekjet apo kërcënimet për jetën. Ata po udhëtojnë përmes vendeve të sigurta dhe po u paguajnë trafikantëve shuma të mëdha parash për këtë udhëtim tragjik. Njerëzit duhet ta dinë se nëse vijnë këtu ilegalisht, do të dëbohen me shpejtësi”, tha Sunak.

Por kjo nismë nuk është mirëpritur nga institucionet ndërkombëtare. Agjencia për refugjatët e Kombeve të Bashkuara, e cilësoi se tejet shqetësues projektligjin e ri, i cili praktikisht do të ndalonte këdo që hyn në vend përmes rrugëve ilegale të kërkonte azil në Mbretërinë e Bashkuar.

Përfaqësuesja e UNHCR-së, Vicky Tennant, tha për BBC se një masë e tillë do të përbënte shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe nuk ishte e nevojshme për të ndalur hyrjet në kanalin e La Manshit. “Jemi shumë të shqetësuar. Kjo do të thotë t’u mohosh qasjen ndaj azilit personave që hyjnë në Britani në mënyrë të parregullt. Ne besojmë se është shkelje e qartë e Konventës së Refugjatëve. Edhe personat me arsye shumë të forta nuk do të kenë mundësi të kërkojnë azil”, tha ajo.




Skip to toolbar