Rama, “fushatë” në Athinë/ Takim në 12 maj, tre javë para zgjedhjeve europiane

AKTUALITET


Të premten në mëngjes, Edi Rama mblodhi në selinë e PS, drejtuesit politikë, me të cilët ndau detaje për zgjedhjet e brendshme që partia në pushtet do të zhvillojë në datat 10-11 maj.

Në këto data, anëtarët e PS do të zgjedhin delegatët e Kongresit, forumit më të madh të partisë.


Por kjo nuk ishte cështja e vetme në tryezën e skuadrës politike të Edi Ramës. Ai do të mbajë 4 takime të mëdha me diasporën shqiptare, të cilës do t’i shkojë atje ku ata banojnë.

Takimi i parë me shqiptarët që jetojnë në Greqi, do të mbahet në Athinë më 12 maj, ndërsa emigrantët e Italisë do të grupohen në Milano më 26 maj. Në 2 qershor Rama do të jetë në Londër dhe në 16 qershor, në Duseldorf të Gjermanisë.

Takimet në Itali, Angli e Gjermani po organizohen në normalitet, ndërsa starti në Athinë po komentohet gjerësisht nga mediat vendase.

Kathimerini shkruan se qeveria greke ka rezerva për tubimin e parashikuar për të dielën e javës tjetër.

Argumentet rrotullohen rreth Fredi Belerit. E para, 12 maji është fiks një vjetori i arrestimit të tij.

Së dyti, Beleri është një prej kandidatëve të partisë greke në pushtet, për parlamentin evropian.

Në këtë kontekst, sic shkruan gazeta greke Kathimerini, qeveria greke ka sinjalizuar palën shqiptare se do të ishte e preferueshme që ky mitting i Ramës me emigrantët shqiptarë të mbahet pas 9 qershori, ditë kur do të mbahen zgjedhjet për parlamentin evropian, në mënyrë që të mos ndikohet procesi zgjedhor.

Kathimerini shkruan edhe se bashkia ka anuluar lejen e dhënë më herët që takimi të mbahej në një stadium të qytetit, dhe se vendi ku shqiptarët do të takohen, ngelet i paqartë.




Skip to toolbar