Rama: Hapen 7 shërbimet e para mjekësore në spitalin qendror, vijon plani i transferimit të plotë

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ditën e sotme se është hapur Spitali Qendror në kompleksin e QSUT-së. Aktualisht aty jepen 7 shërbimet e para mjekësore. Rama njofton se vijon plani i transferimit të plotë të të gjithë shërbimeve.

“Hapet Spitali Qendror në kompleksin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me 7 shërbimet e para mjekësore, teksa vijon plani i transferimit të plotë të të gjithë shërbimeve, për të garantuar cilësinë më të mirë të shërbimit për pacientët në këtë spital ultramodern”, njoftoi Rama.


Spitali Qendror është vepra më e madhe infrastrukturore në shëndetësi në 30 vitet e fundit. Spitali Qendror ka kapacitet 345 shtretër dhe do të akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, reumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria.

Pesë vite më parë nisi zbatimi i masterplanit për modernizimin e QSUT dhe pas përfundimit të Spitalit Kirurgjikal “Frederik Shiroka”, Spitalit të ri Pediatrik, Spitalit Infektiv, Depos Farmaceutike QSUT dhe Spitalit Qendror, vijon puna me intensitet për fazën e dytë të rindërtimit të Spitalit Pediatrik, në vijim do të hapen investime të reja me projektet për rehabilitimin e Spitalit të Kardiokirurgjisë, Spitalit Psikiatrik dhe atij të Djegie-Plastikës në QSUT.




Skip to toolbar