Rama: Luli, ne fitojmë vetë

Më të fundit



Kryeministri Edi Rama përsëriti sërish ftesën për bashkëpunim për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në një takim me gratë dhe vajzat e Tiranës, Rama tha se është bërë shumë zhurmë për këtë ftesë, ndërsa sqaroi se ftesa ndaj Bashës nuk është nga halli, pasi sipas tij, PS fiton shumicën më 25 prill, por “është një thirrje për ta bërë politikën t’i ngjajë sadopak, në mos shumë, shqiptarëve përballë tërmetit, pandemisë, rrezikut”.


“E keni dëgjuar këto ditë gjithë atë zhurmën me atë çfarë unë thashë sa i përket bashkëpunimit me Bashën dhe PD. Natyrisht që mënyra si komentohet është e njëjta me botox, ose me zhgarravina. Në fakt, sot nëse ka këtu në këtë vend vesh që mund ta dëgjojnë e kuptojnë deri në fund atë që unë them, janë veshët e nënave të reja e të moshuara, janë veshët e gjyshërve, se çfarë do bëjë më shumë për ne Edi Rama, dhe si do të bëhen të gjitha këto, me këtë politikë, që është mbi nam e sahat, që plas gjatë gjithë rrugës, ndërkohë që ne duam të ecim përpara e të ndërtojmë. Thirrja për t’u bashkuar, vetëdija ime se bashkimi e tejkalimi i kësaj politike, është një domosdoshmëri. Bindja ime se dalja përtej tunelit të pandemisë dhe hyrja në një fazë tjetër, ku ne kemi mundësi që diellin e mrekullueshëm të Shqipërisë ta bëjmë të bukur edhe për ata që s’mund të ngrohen. Nuk është një thirrje për të bërë një qeveri bashkë, siç bëri Saliu qeverinë me këtë Liken nga halli, kur nuk kishte votat, apo siç ka ndodhur bashkimi i partive për interesat e tyre. S’ka lidhje fare.

Ne s’kemi nevojë dhe as do jemi në nevojën për të kërkuar vota e të tjerë, sepse ne do të marrim shumicën absolute. Por është një thirrje për ta bërë politikën t’i ngjajë sadopak, në mos shumë, shqiptarëve përballë tërmetit, pandemisë, rrezikut. Natyrisht që shqiptarët në ato faza i bashkoi ajo që e vuajnë njësoj nga brenda, por politika duhet të bëjë që bashkimi të mos vijë nga vuajtja ose halli, por të vijë nga bindja se ky është detyrimi më i madh, më i rëndësishëm, më i dobishëm, ndaj njerëzve për ta bërë politikën një hapësirë ku njerëzit të mos kenë frikë të hyjnë, ku shumë Ogerta, shumë Etilda, shumë Elisa, shumë Bora, Edona, të mos kenë frikë të hyjnë, të mos kenë frikë të përfshihen, se menjëherë ju bie mbi kokë balta e qiellit. Kjo qenëri duhet të tejkalohet. Kjo qenëri duhet të lihet pas, se Shqipëria është shumë e vogël për të mos ja dalë. Që të jemi shumë të qartë, të gjithë ata që besojnë se nuk ka asnjë rrugë tjetër për të pasur më shumë në jetë, se sa të punosh më shumë, kanë vetëm një rrugë më 25 prill, PS.

Ata që besojnë se për t’u ringritur pasi të ka rrëzuar stresi, mërzia, do të thotë të ringrihesh vetë dhe mos prit të vijë dikush tjetër të ngrihet për ty. Ka vetëm një rrugë më 25 prill, Partia Socialiste. Mesazhi im ndaj grave është i qartë, ndjesë ndaj asaj që politika ka bërë për t’ju shtuar lodhjen, stresin, mërzinë, që mos të përfshihesh dhe përbaltesh, ama mirëkuptim, besim për një të vërtetë të thjeshtë, Shqipëria sot është shumë më tepër se ajo që ishte para se ne të merrnim detyrën. Nëse kthehem tek shembullin e asaj gruaje e burri që luanin bixhoz, në 25 prill, gruaja është PS dhe burri PD. Nëse do që Shqipëria të jetë si gruaja të votojë PS, nëse do që të jetë si burri, të votojë PD.”, tha Rama.