Rama me Macron: Jam shumë i lumtur për vizitën tuaj, Shqipëria referenca europiane në Ballkan

Më të fundit


Kryeministri Edi Rama u shpreh shumë i lumtur për vizitën e Emannuel Macron në Shqipëri.

“Sa herë unë gjendem në situatë si kjo ku duhet shprehur kënaqësia për praninë e mikut të çmuar, evitoj fjalën i lumtur që sugjeron Ministria e Jashtme në fjalimet e mia dhe them i kënaqur. Ndërkohë që sot dëshiroj ta them me plot gojën që jam shumë i lumtur që jam në krah të Presidentit të Repulikës së Francës jo në Paris, jo në Bruksel, por në Tiranë. Jam shumë i lumtur që pas një pritje të paktën shekullore, në Shqipëri vjen për një vizitë dypalëshe shefi i shtetit francez. Dhe kjo vizitë është shumë më tepër se sa një vizitë formale, është një vizitë miqësore dhe është një vizitë angazhimi.

Integrimi duhet të vazhdojë bazuar në meritën e çdo vendi por nuk duhet lënë që të bëhet ankth dhe pasiguri. Në kushtet kur autokracitë po marrin avantazh në raport me demokracitë si rezultat i mundësisë për të marrë vendimmarrje strategjike dhe shpejt, dhe jam shumë i lumtur që në fjalën e mbrëmshme presidenti e tha shumë qartë që zgjerimi i BE nuk duhet të pengojë ribashkimin e Europës. Dhe për këtë unë jam shumë shpresplotë që presidenti do udhëheqë procesin e angazhimit të BE në funksion të ribashkimit të Europës për të ndërtuar 2 binarë të një treni ku nga një anë çdo vend do bëjë detyrat e shtëpisë ndërkohë që BE do vazhdojë përpjekjet për t’u reformuar, dhe nga ana tjetër marrëveshjet mes BE dhe çdo vendi do jenë shumë më të thella me impakt të drejtpërdrejtë.

Tashmë janë 101 vjet marrëdhënie diplomatike mes Francës dhe Shqipërisë dhe marrëveshja e partneritet strategjik që ne kemi nënshkruar me qeverinë e Presidentit Macron para pak vitesh është gur themeli me të cilin do ndërtojmë më tutje një rrugë të gjerë baskëpunimi.

Sot ne kemi një të dhënë shumë inkurajuese. 80 mijë turistë francezë kanë vizituar Shqipërinë deri tani. Dhe numri mund të shtohet edhe në këtë kohë të mbetur të vitit 2023. Dhe prania gjithmonë e më madhe e turistëve që është arsye e fortë për të besuar që në këtë angazhim baza e lidhjes dhe e njohjes së ndërsjelltë po fuqizohet ditë për ditë nga njerëzit.

Bashkëpunimi në nivelin e sigurisë mes strukturave të sigurisë së Francës dhe Shqipërisë është kthyer në një model për të tjerët. Edhe në Granada ku kemi qenë së bashku, ky model ka shërbyer për të shpjeguar se si duhet mund të thellohet lufta kundër emigracionit të paligjshëm. Dhe kjo ka kërkuar durim, por është zhvilluar dhe në një presion politik dhe mediatik të brendshëm. Sot jemi në një tjetër nivel. Sot ne e kemi Francën këtu.

Sot Franca është e pranishme në Shqipëri me 111 kompani me kapital të përbashkët, 111 kompani janë shumë pak dhe nga pikëpamja ekonomike janë sa një këmbë e Mbappes. Por janë shumë krahasuar me disa vjet më parë kur marrëdhënia jonë ekonomike vlente sa një këpucë e Mbappes. Tani do luftojmë së bashku për këmbën e dytë të Mbappes.

Jam shumë i lumtur sot dhe shumë krenar për Shqipërinë që arriti të ishte gati për të mikëpritur Francën. Se mund të mikëpresësh shumë francezë, por e mikëpret vetëm kur i pari i vendit troket në derë. Që Presidenti  Francës të vijë në Shqipëri, më besoni nuk është diçka e lehtë dhe nuk ka qenë e lehtë, prandaj unë jam shumë i lumtur sot se rruga europiane e Shqipërisë në ambicien për t’u bërë Europa e Ballkanit, është e pakthyeshme. Ne do përpiqemi në vijimësi që të mos jemi 1 nga 6 pjesët e Ballkanit që është europiane kur flet me Europën dhe ribëhet ballkanike kur flet me 5 pjesët e tjera. Duam të jemi këtu në Ballkan referenca europiane e këtij kominitetit ballkanik dhe do investohemi për ta mishëruar Europën.

Ky proces nuk është që ne të ikim diku, është që Europa të vijë këtu që qytetarët tanë të jetojnë me standardet dhe parimet e një vendi europian.

Duke ardhur këtu njësoj si një rockstar kur shkon në një vend për herë të parë, motivon shumë fëmijët për t’i ngjarë sepse e shikojnë nga afër. Ju motivoni Shqipërinë, shqiptarët për të vazhduar edhe më shumë përpjekje për t’i ngjarë Francës, Europës, jo duke imituar por duke i brendësuar. Sepse ne s’mund të jemi kurrë Franca dhe s’kemi pse jemi, por mund të jemi një vlerë e shtuar e Europës dhe një mik besnik i Francës ku Franca të shohë jo thjeshtë një vend më të vogël që i përulet, por një aleat që i vlen në ditë të vështirë dhe një mik që i vlen gjithmonë kur Franca ka nevojë për të qeshur pak më shumë. Sepse në fund fare procesi i integrimit është procesi më i mërzitshëm në botë dhe ne nuk e kemi luksin që të bëhemi të mërzitshëm dhe vet. Duhet të arrijmë që ta bëjmë procesin e mërzitshëm të tillë që standardet dhe parimet të mos na humbasë asnjëherë dëshirën për të qeshur dhe për të bërë të tjerët që të qeshin, përndryshme një Shqipëri e merzitshme do ishte joatraktive”, tha Rama në fjalën e tij.



Skip to toolbar