Rama, me maskë në mbledhjen e qeverisë: Basha gënjen! Kush i solli dhe historia e skadencës

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht për denoncimin e PD se mjekët që shërbejnë për të prekurit nga koronavirusit po përdorin maska të skaduara.

Në fjalën e tij nga mbledhja e Këshillit të Ministrave, Rama tregoi se vijnë nga Amerika dhe përdoren për salla kirurgjikale.


“Kanë ardhur dhuratë nga fondacioni “Bijtë e Shqipes”. Janë ndaluar në doganën e Durrësit. Ishin të destinuara për një shoqatë bamirësie, e cila pas thirrjeve të përsëritura të autoriteteve, nuk u paraqit për të paguar detyrimet e shtetit dhe për të tërhequr këto pako që janë prodhim amerikan. Nëse këto maska do të ishin të rrezikshme dhe skadenca e tyre do të implikonte gjësendi përvec uljes së eficencës në salla kirurgjikale ku operohen njerëz, nuk do të dilnin nga kufijtë e Kandasë e as të SHBA për të kaluar oqeanin për të ardhur në Shqipëri”, tha kryeministri.

Sa i përket përfundimit të datës së skadencës, Rama tregoi se vijojnë të përdoren sepse janë më efikase se facoleta apo gazrat.

“Përdoren gjerësisht pas datës së skadencës në sallat kirurgjikale. Jo se në salla janë të rrezikshme, por nuk e kanë të gjithë efektshmërinë e tyre. Janë maska që e zëvendësojnë disa herë më mirë facoletën apo garzat që vendosen para fytyrës për vetëmbrojtjen apo mbrojtjen e tjetrit gjatë një gjendje të caktuar”, theksoi Edi Rama.

Më herët Edi Rama, me një reagim në Twitter shkruan se opozita po kërkon të bëjë politikë me koronavirusin, si në rastin e tërmetit. “Ka vetëm një palë maska të dëmshme në Shqipëri: Maskat e atyre që dhe kur ky vend lufton me jetën nën gërmadhat e tërmetit apo me një virus kërcënues për planetin, s’ndalen së kërkuari pushtet me shpifje, sherr,rrëmujë! Po përsëri Shqipëria do t’ia dalë sepse shqiptarët s’janë vetëm!” – shkruan Edi Rama.




Skip to toolbar