Kryeministri Edi Rama nderoi sot, gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, Kryeministrin e Shtetit të Lirë të Bavarisë Markus Soder me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike për “Mbështetjen e veçantë të treguar ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, duke mos kursyer asnjë përpjekje për të konsoliduar proceset integruese; për kontributin dhe përkushtimin në forcimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes Bavarisë e Shqipërisë.”
Kryeministri Rama i dorëzoi Kryeministrit bavarez Markus Söder, Medaljen e Mirënjohjes, në zyrën e tij në Kryeministri.
“Ky është një simbol shumë i rëndësishëm për ne. Është Ylli i Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut, i cili mori nga një prej papëve titullin “Atleti i Krishtit”, i cili luftoi për vite e vite me radhë për të mbrojtur vendin tonë. Kjo u jepet, jo vetëm njerëzve shumë të rëndësishëm, por edhe njerëzve, të cilët janë në një farë mënyre shumë të lidhur me këtë vend.
Natyrisht, lidhja juaj vjen sepse siç e thamë përpara legjendari Franz Josef Strauss, babai i Bavarisë moderne, por edhe për gjithçka vendi juaj ka bërë për vendin tonë, sidomos në mbështetje të integrimit tonë europian e për ato çka ju personalisht keni bërë duke dhënë urdhrat e duhur sepse nuk duhet të bëni shumë ju. Thjesht jepni urdhrat e duhur dhe njerëzit i ekzekutojnë.