Rama nga Brukseli: E trishtë që u desh Putini, që BE të ndërgjegjësohej për Ballkanin Perëndimor

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama tha se Bashkimi Europian po tregon me veprime konkrete se tashmë është më i përkushtuar për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në union, “falë” edhe agresionit rus në Ukrainë.

“Po shohim se BE është shumë më i vetëdijshëm në vepra e jo vetëm me fjalë, për rëndësinë strategjike që ka Ballkani Perëndimor për BE. Është e trishtë që duhej Vladimir Putini që të ndodhte kjo gjë. Besoj se ne tashmë duhet ta ruajmë këtë ritëm për të ecur me hapa të guximshëm përpara e të mos presim për një agresion tjetër që të na kujtojë, e të kujtojë njerëzit në Bruksel se sa i rëndësishëm është Balllkani Perëndimor për BE”, tha Rama gjatë një konference për mediat në Bruksel, ku mori pjesë në Mbledhjen e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian.


Kryeministri shtoi se ka ardhur koha që BE të kuptojë se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë vetëm mjaftueshëm të pjekura, por janë në një situatë ku meritojnë të përqafohen e të sillen më pranë.

“Ajo çfarë po ndodh sot është shembull ekzemplar i asaj çfarë duhet të ndodhë më tej në nivele të tjera. Besoj fort që ajo që po ndodh sot këtu duhet të ndodhë në Parlamentin e BE, Komisionin Europian dhe Këshillin Europian”, tha Rama.

“Kjo është e vetmja rrugë për të qetësuar të gjithë shpirtrat dhe për të injektuar një energji mjaft konkrete, të prekshme e të dobishme në të gjitha vendet kandidate, lidhur me të ardhmen mjaft konkrete me të qenit pjesë të BE. Në të kundërt rrezikojmë t’i hyjmë një rruge që nuk mbaron kurrë të qëllimeve të mira, një mori premtimesh por pa asnjë rezultat”.




Skip to toolbar