Rama pas fjalës në samitin e KiE: T’i hiqet njolla Shqipërisë dhe UÇK-së

AKTUALITET


Në përfundim të seancës së sotme të Samitit të liderëve të Këshillit të Europës, kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për fjalën që mbajti në këtë samit, tha se qëndrimi i tij lidhet me heqjen e një njolle që Asambleja e Këshillit të Europës i ka vënë Shqipërisë dhe UÇK-së, nën ndikim e fortë të Rusisë në vitin 2011.

-Zoti kryeministër, ju iu adresuat në fjalimin tuaj edhe çështjes së Kosovës. Si do vazhdojë qëndrimi i Shqipërisë në lidhje me atë që ju pretendoni për pafajësinë e kryeministrit Thaçi dhe të gjithë personave të tjerë?


“Jo, kjo nuk është një çështje pafajësie apo fajësie sepse kjo është çështje e tribunalit. Çështja është e heqjes së një njolle që Asambleja e Këshillit të Europës i ka vënë Shqipërisë dhe Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, nën ndikim e fortë të Rusisë në vitin 2011 dhe bërja e një raporti të ri në dritën e faktit tanimë të stërprovuar që nuk ka pasur kurrë trafik organesh”, tha Rama.

Rama ndodhet në Islandë ku po merr pjesë në samitin e KiE-së. Ky samit dy ditor ka bërë bashkë udhëheqësit evropianë me qëllimin për të vënë Rusinë para përgjegjësisë së saj për luftën në Ukrainë.

Në fjalën e tij, Rama përmendi akuzat e hedhura ndaj Hashim Thaçit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në raportin e 2011-ës, i cili sipas kreut të qeverisë e pati zanafillën pikërisht në këtë këshill. Rama theksoi se Asambleja e Këshillit të Evropës duhet ta tërheqë mbrapsht atë raport të turpshëm.




Skip to toolbar